U promovua libri “Deritashografi” i autorit kumanovar, Arsim Jonuzi

Sot në lokalet e ish-komitetit,në Kumanovë u bë promovimi i librit “Deritashografi” të autorit kumanovar Arsim Jonuzi.

Ngjarja e promovimit u realizua në dy pjesë. Ashtu që në pjesën e parë u promovua faqja e facebook-ut “Dhoma e Leximit”. Për të folën dy krijuesit e faqes. Epirot Ferati tha se faqja ka për qëllim të bëhet urë lidhëse mes të rinjëve dhe leximit.

”Të rinjtë kohën më të madhe po e kalojnë në rrjetet sociale. Ata thjeshtë nuk e dinë se si ta bëjnë kohën e tyre të vlefshme, ata nuk dijnë me çka të identifikohen. Prandaj promovimi i dijes dhe debatimi i njohurive është nxitje për lexim të mëtutjeshëm të librave.”-tha Ferati. Liridon Ismaili shtoi se “ Dhoma e Leximit ka për qëllim sensibilizimin dhe motivimin e të rinjëve, që virtualitetin ta shëndrrojnë në realitet, si në një dhomë ku shkëmbehen dituritë.”

Për relaksimin e të pranishmëve nxënësja Emine Aliu recitoi monologun “ I njohur por i huaj”, një prej monologjeve të Arsim Jonuzit. Kryerecenzenti D-r Sevdail Demiri tha se përveç lëndës unikate të librit duke qenë se përbëhet nga: ese, monologje, poezi, thënie, projekte, botime, këngët e shkruara dhe përkthime të zgjedhura; i veçantë është edhe vetë titulli “Deritashografi”, si një neologjizëm ekskluziv, që nënkupton se vepra përmban të gjitha shkrimet e deritanishme të autorit.

Arsim Jonuzi deklaroi se hapin për shkrimin e librit e ndërmori duke u bazuar në urdhërin e Zotit për lexim. Ndërsa promovimin e librit e bëri me qëllim që të nxitë zbatimin e këtij urdhëri hyjnor. Njëkohësisht duke e ditur se momentalisht interesi për lexim është i vogël, autori tha “Nuk dëshiroj të jem vetëm një prej analizuesve dhe konstatuasve të gjendjes, por një prej vepruesve në mënyrë që drita e diturisë të na shpjerë përpara, siç thoshte i madhi Sami Frashëri.” Autori shtoi se veprën ia ka kushtuar atyre që i kanë dhënë mësime e që kanë kontribuar të jetë ky që është. Me këtë rast në veçanti i falenderoi të gjithë mësuesit e tij.

Fjalë miradie rasti për autorin tha mësuesi i tij i parë Z.Tefik Xheladini, i cili theksoi “Arsimi ishte nxënësi im më i veçantë, i cili gjithmon dukej i buzëqeshur në klasë”. E D-r Avni Avdiu u shpreh në këtë mënyrë: “Sot m’u duk sikur shëndriti një diell i ri me një koncept të ri, falë llojit të ri të librit që botoi Arsimi”. Të gjithë të pranishmëve autori iu ndau libra falas.

Për Portalb autori sqaroi se pret që kjo gjurmë e parë e “Deritashografisë” së tij të ndiqet edhe me gjurmë të tjera. “Sa i përket librit do të thosha se kam kursyer letrën, nga ky material që kam përmbledhur brenda dy kopertinave mund të bëheshin dy e më shumë vepra… Arsyeja e promovimit është fakti se sot një libër në përgjithësi duhet shumë të promovohet që vetëm pak të ketë sukses. E ky nuk është konstatimi im por edhe i të gjithë libërshitësve në tërë rajonin.” Ndërsa pyetjes së gazetarit se në çfarë mënyre pret të ndikojë te lexuesi, autori me kënaqësi iu përgjigj: ” Nga esetë e botuara si shënime filologjike, lexuesi do të ketë përfitim shkencor; nga monologjet dhe poezitë, si shprehje e thellësisë së unit tim si autor, te lexuesi do të ketë efekt psikologjik; në thëniet lexuesi do të hasë në dekodim të disa koncepteve; te projektet do të gjejë rreth 30 fjalë të reja, që nuk gjinden në fjalorin e gjuhës shqipe; kurse përkthimet, besoj, do të kenë ndikim moral.”/Portalb.mk

1961474_990921334285690_1223544748_n

11418242_990921310952359_60535410_n

Lajme të ngjashme

Back to top button