“Ilirida” nga Shkupi fiton çmimin Mujë Krasniqi në Klinë

Shoqëria Kulturo-Artistike “ Ilirida” nga Shkupi ka fituar çmimin e madh “ Mujë Krasniqi”, në festivalin folklorik “I Këndojmë Lirisë” që sivjet është mbajtur për të 15-ën herë me radhë në qytetin e Klinës e që i kushtohet ditëlindjes së komandantit të UÇK-së Mujë Krasniqi.

Festivali nisi në fshatin Qabiq, vendlindja e dëshmorit Mujë Krasniqi, për të vazhduar me pas në Klinë në tre net konkurruese ku në skenë janë ngjitur hiç më pak se mbi 700 artistë nga trojet shqiptare, transmeton Koha.net

Juria e festivalit folklorik, në përbërje nga Zymer Neziri, Sejmen Gjokoli dhe Blerim Peci, kanë vlerësuar se në vendin e dytë e fiton “Tradita” Ansambli- Ulqin, vendi i tretë, grupi polifonik “Idriz Sulli” nga Gjirokastra kurse çmimin e publikut e mori shoqëria “ Agim Ramadani” nga Gjilan.

Veterani i festivalit, është shpallur rapsodi Ali Krasniqi nga Malisheva. Instrumentisti më i mirë është shpallur Besnik Osmanollaj Gjonaj. Interpretuesi më i mirë, Shefki Saliu Katriot ndërsa valltari me i mirë Ilir Loku nga “Ilirida” e Shkupit.

Për grupin me të mirë të rapsodëve është shpërblyer Zymer Kryeziu me grup nga Malisheva, dueti më i mirë: Naim Krasniqi e Sylë Nishori Prizren, zëri më i mirë i festivalit: Jeton Fetiu Dardanë, veshja më autentike SHKA “Malsori” Gjonaj –Has, orkestra më e mirë SHKA “Selman Kadria” Istog, ansambli më i kompletuar AKV “Bajram Curri” Prishtinë dhe vallja më e mirë koreografike “Mozaik vallesh” me koreografi të mjeshtrit të madh Besnik Grejçevci, AKV “Dëshmoret e Kombit” Obiliq.

Festivali është mbajtur në përkujdesje të kryetarit të Komunës së Klinës Sokol Bashota.

Lajme të ngjashme

Back to top button