Gjocaj: Në zjarrin e ndezur hidhi kujtimet (Intervistë)

Astrit Gjocaj, krijues i cili së fundmi ka publikuar librin e tij të parë me titull ‘ Në zjarrin e ndezur hidhi kujtimet’. Libër ky që është i ndarë në tri vëllime dhe u ofron lexuesve poezi të ndryshme. Astriti, ka filluar të shkruaj poezi që në fëmijëri. Ai, këtë gjë do ta vazhdojë edhe në të ardhmen, Por, nuk do të lexojmë vetëm poezi nga ai, por, edhe romane e proza.

Intervistoi: Dijana Gj. Dukaj

Na flisni pak për fillimet tuaja. Kur filluat të merreni me krijimtari?

A.Gjocaj: Fillimet apo dëshira për të shkruar është që nga fëmijëria ime ngaqë  kur isha shumë i vogël kisha dëshirë dhe pasion shkrimet. Ndoshta kjo ishte për faktin që isha duke u rritur i rrethuar me libra, dhe mbase është pasion i trashëguar paksa gjenetikisht nga familjaret.

Së fundmi kini publikuar librin tuaj të parë me poezi i cili është i ndarë në tre kapituj (cikle). Na flisni pak rreth kësaj krijimtarie tuaj të parë?

A.Gjocaj: Po kam botuar librin tim të parë  “Në zjarrin e ndezur hidhi kujtimet”  libër ky më të cilin kam bërë hapat e parë  në krijimtari letrare duke shpresuar që do të jetë një fillim i mbarë duke pasur çka ti ofrojë lexuesit dhe të jenë të pëlqyera shkrimet që bëj nga lexuesi. Ajo që më bën të ndjehem mirë dhe që jam në rrugë të drejtë është vlerësimi dhe komentet që kamë marr deri tani për librin.

Nëse do të ju kërkohet të veçonit disa prej krijimeve tuaja. Cilat do të ishin ato?

A.Gjocaj: Po të më kërkohej të them  ndonjërën nga shkrimet do të zgjidhja një të ju a them, por, ti veçoj nuk besoj që do mund ta bëja sepse të gjitha janë të veçanta për mua dhe secilën e kam shkruar me shumë dashuri dhe përkushtim.  Do të doja të ju a lë lexuesve të veçojnë atë që duan apo gjejnë veten më shumë, ngase lexuesi është aj që përcakton në bazë të preferencës që ka se cila është më e mira për të.

Ju, si poet i ri me cilat problematika ballafaqoheni më tepër?

A.Gjocaj: Po secili fillim ka vështirësitë dhe problemet e veta, sigurisht që dhe unë, si krijues i ri si çdo krijues tjetër që ka në fillim probleme kisha vështirësi të cilat i kalova fal familjes, shoqërisë dhe miqve  që kisha afër vetës e që ju jam shumë mirënjohës, ku dhe shfrytëzoj rastin ti përshëndes dhe falënderoj të gjithë. Por njëra ndër vështirësitë që ishte dhe vazhdon të jetë  është  realiteti në të cilën po jetojmë  ku fatkeqësisht kjo fushë po vlerësohet dhe përkrahet shumë pak.

Krijues të rinj kemi çdo ditë e më shumë. Çka ju duhet më së shumti atyre sipas mendimit tuaj?

A.Gjocaj: Po,  është kënaqësi kur  sheh që të rinjtë po shkruajnë dhe merën me librin në përgjithësi. Ajo që ju duhet më së shumti është të ju vlerësohet puna që bëjnë dhe të kenë përkrahje sa më të madhe, duhet ti mbështesim që ti zhvillojmë dhe të përfitojmë nga dija dhe angazhimi i tyre  e jo ti pengojmë dhe lejojmë të shuhen. Sepse sado i mirë të jetë një krijues shuhet me pamundësi krijimi.

Si krijues i ri si e vlerësoni gjendjen e letërsisë shqiptare, veçanërisht atë të poezisë?

A.Gjocaj: Nuk është që nuk  jemi të pasur në letërsi pavarësisht që ka hapësirë dhe mundësi edhe më shumë, por ajo që më brengos më së shumti është fakti që e ceka edhe më lartë që fatkeqësisht po vlerësohet shumë pak dhe nuk  i kushtohet shumë rëndësi. Nuk është problemi vetëm tek qytetari si lexues i thjeshtë që po i mungon librit por dhe tek institucionet që nuk po bëjnë aq sa duhet dhe kanë mundësi të bëjnë për librin, kjo bën që të shprehim shqetësimin tonë rreth kësaj gjendjeje me shpresën që do të ndryshoj  shpejt dhe në të mirën e librit se vetëm atëherë do të kemi zhvillime pozitive në të gjitha fushat tjera.

Duke qëndruar tek krijimtaria juaj. Çfarë jeni duke shkruar tani, poezi apo…?

A.Gjocaj: Sigurisht që poezinë e dua dhe  nuk do të ndalem së shkruari, por,  nuk do të thotë që do të kufizohem vetëm në këtë fushë, do të vazhdoj të krijoj atë që di dhe mund ta bëj  pavarësisht  nëse do të jetë poezi, prozë, roman apo diçka tjetër.

Cili shkrimtar është idhulli juaj?

A.Gjocaj: Në këtë pyetje më keni vënë në pozitë jo të lakmueshme ngaqë kam shumë shkrimtar që i dua dhe konsideroj që janë për tu marrë shembull dhe për tu admiruar  nga ata te huaj por edhe shqiptar, por meqenëse  jemi te poezia po përmend dy emra nga shumë autor të mirë që kemi shqiptar e ata janë Dritëro Agolli dhe Din Mehmeti.

Po frymëzimi ?

A.Gjocaj: Frymëzimi nuk është që vjen vetëm nga diçka apo dikush, është diçka që vjen ashtu spontanisht varësisht nga gjendja apo situata që ndodhemi, mund të vije nga një fjalë, sjellje, ngjarje, gjendje emocionale e shumë forma të tjera varësisht se si dhe nga çka provokohesh që të nxit ta shndërrosh në artë e këtë rast poezi.

Planet tuaja për të ardhmen?

A.Gjocaj: Planet e mia janë të shumta e që dhashë Zoti të kemi shëndet dhe mundësi ti realizojmë, por, në mes të tyre  janë të vazhdoj më krijimin e veprave të reja, dhe meqenëse kam diplomuar fakultetin juridik dhe jam në përfundim të shkencave politike të vazhdoj me studimet tutje.

Lajme të ngjashme

Back to top button