Maqedoni, gjysma e investimeve të jashtme vjen nga Karaibet e dyshimta

Gjysma e investimeve të jashtme që kanë hyrë në Maqedoni në tre muajt e parë të këtij viti vijnë nga shteti-ishull i vogël karibian Shën Vincent dhe Grenadinet.Në tre muajt e parë të këtij viti në Maqedoni kanë hyrë 69 milionë euro investime të jashtme, që është ulje e madhe në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur kanë hyrë 109 milionë euro, tregojnë të dhënat e Bankës Popullore. Gjysma e investimeve të jashtme që kanë hyrë në shtet në tremujorin e parë, gjegjësisht 35 milionë euro, janë nga ishulli i vogël i Karaibeve Shën Vincent dhe Grenadinet, që është parajsë tatimore dhe vend ku rrallë kontrollohet pronësia e parave.

Vitin e kaluar në Maqedoni kanë hyrë 262 milionë euro, dhe vitin para tij 252 milionë euro kapital i jashtëm.

Zyrtarët qeveritarë vazhdimisht paralajmërojnë investime të reja dhe hapjen e vendeve të reja të punës, por ekonomistët janë skeptikë dhe alarmojnë se investitorët e jashtëm për shkak të krizës politike edhe më shumë do ta anashkalojnë vendin.

Profesoresha Shenaj Haxhi Mustafa thotë se kriza politike ndikon në investimet e jashtme, por nuk është vendimtare.

“Ajo që unë mendoj se është vendimtare për vetë investimet e jashtme është cilësia e institucioneve në vendin tonë, që është diçka që po zgjatë me vite, e kjo është sundimi i ligjit, gjyqësia e pavarur, dhe realizimi i të drejtave të pronësisë. Mendoj që ai është faktor shumë më i rëndësishëm për investitorët të jashtëm dhe të brendshëm. Pra, mendoj se ai është faktor shumë më i rëndësishëm, edhe pse kriza politike ka ndikim”, thotë ajo për REL.

Ish-guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë, Petar Goshev, thotë se niveli i ulët i investimeve të jashtme është pasojë e politikave të gabuara të qeverisë, e jo e krizës politike.

“Përgjithësisht niveli i investimeve të huaja nuk korrespondon me harxhimet që i bëri kjo qeveri për realizimin e atij koncepti dhe ai koncept nuk do ta zhvillojë Maqedoninë, ai koncept prej Maqedonisë krijon koloni klasike, ose, le të themi, neokolonializëm ashtu siç kualifikohet në teorinë ekonomike”, thotë Goshev.

Investimet, ndërkaq, nga shtetet ‘ofshor’ i sheh si kthim i gradual të parave të vjedhura nga Maqedonia.

“Kjo do të ndodhë edhe më tutje, por do të jenë shuma të vogla parash në krahasim me paratë të shumta të eksportuara jashtë Republikës së Maqedonisë gjatë kësaj dekade edhe më herët”, thotë Goshev për REL.

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se Maqedonia në tërheqjen e investimeve të jashtme në regjion i ka rezultatet më të mira vetëm se Bosnja dhe Hercegovina.

Lajme të ngjashme

Back to top button