Kosovarët të interesuar për zanate në Gjermani

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se marrëveshjet e autoritetet kompetente në Prishtinë me disa nga vendet e Bashkimit Evropian, si dhe me Emiratet e Bashkuara Arabe, nuk nënshkruhen shtet më shtet, por përmes komunitetit të biznesit dhe agjencive të punësimit, mirëpo monitorohen nga kjo ministri.

Për këtë qëllim, në muajin prill të këtij viti, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, për zbatimin e projektit që ka të bëjë me arsimimin dhe aftësimin profesional të qytetarëve të Kosovës në Gjermani.

Për këtë projekt, shumë të rinj kanë shprehur interesim dhe janë të gatshëm të shkojnë për aftësim profesional në shtetin gjerman.

Pas shpalljes së konkursit nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, kanë aplikuar 550 qytetarë të Kosovës, kurse 340 nga ta i kanë plotësuar kriteret e kërkuara.

Samir Krasniqi, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se procesi është duke vazhduar dhe pas një periudhe të shkurtër, të përzgjedhurit do të udhëtojnë për Gjermani, për t’u aftësuar në sektorë dhe profile të ndryshme.

Qytetarët, të cilët përfitojnë nga ky projekt, në Gjermani do të qëndrojnë tre vjet e gjysmë dhe të njëjtit mund të kthen në Kosovë dhe të kontribuojnë në tregun vendor.

Lajme të ngjashme

Back to top button