Shtëpitë e djegura në Kondovë, familjet kërkojnë ndihmë prej shtetit

Asnjë masë nuk është ndërmarrë edhe tre ditë pasi 5 banesa në Kondovë u kapluan nga zjarri.

Banorët thonë se pa asnjë arsye zjarri që shpërtheu ua dogji edhe ato pak rroba që kishin dhe falënderojnë zotin që të paktën arritën të shpëtojnë kokën.

Tashmë 3 ditë ata po qëndrojnë tek të afërmit e tyre, por thonë se askush nuk dëshiron mysafirë në shtëpi, pasi të gjithë kanë hallet e veta.

Në fakt barakat ku kanë jetuar deri tani janë ndarë para shumë vitesh si banesa të përkohshme për familjet sociale, e më pas askush nuk është marrë me to dhe kanë mbetur pa një status të përcaktuar dhe ende nuk dihet se cili institucion i ka kompetencat për të zgjidhur hallin e banorëve.

Ata kërkojnë ndihmë nga institucionet. Njëra zgjidhje do të ishte që t’u mundësohet të marrin pronësinë e vendit për të ndërtuar shtëpi të reja.

“23 vjet jetojmë këtu në këto shtëpi sociale. Unë bëj lutje deri tek të gjitha institucionet kompetente për këto shtëpi, që të na japin dokumente, gjegjësisht për pronësinë e tokave, që të mund të bëjmë ne vetë diçka. I kërkojmë këto dokumente që të mos jetojmë më me ndihma dhe në shtëpi sociale”- u shpreh një banor.

E derisa disa kërkojnë zgjidhje nga institucionet, të tjerët ende kujtojnë tmerrin e momenteve të përjetuara. Ato pamje gjatë kohë nuk do ju shlyhen nga kujtesa.

“Zjarri filloi prej këtu tek kjo dhoma dhe e pamë duke i dalë flaka. Ne në atë moment i shpëtuam fëmijët, mirëpo një grua dhe një fëmijë mbetën brenda, por fatmirësisht djali im hyri aty dhe i shpëtoi edhe ata”- tha një banor.

Nga Komuna e Sarajit kanë dalë në terren dhe është formuar një komision që ka konstatuar gjendjen faktike dhe do t’u ndihmojë sipas mundësive që ka komuna.

Por, kompetencat për ndërtimin e shtëpive të djegura nuk i ka Komuna e Sarajit, pasi ato janë baraka që eksitojnë tashmë disa vite e që ende nuk kanë një status të qartë dhe nuk dihet se kujt i takon kjo përgjegjësi.

Tashmë banorëve u kanë dalë në ndihmë shumë kompani shqiptare, të cilat u kanë dhënë ndihma këtyre familjeve. Por, ata duan një zgjidhje afatgjate dhe këtë mund ta bëjnë vetëm institucionet qendrore./MRTshqip/

Lajme të ngjashme

Back to top button