Dallimet etnike shkak i dhunës mes të rinjve në Maqedoni

Në Maqedoni gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 150 incidente dhe rrahje nëpër shkolla, ku një pjesë e tyre kanë qenë në baza ndëretnike.

Këto të dhëna janë publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme në kuadër të një fushate edukative “Shkolla të sigurta – ambiente në harmoni”. Projekti ka nisur të realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, ku janë vizituar shkollat e para në Tetovë, Gostivar, Kërçovë dhe ku janë dhënë mesazhe për evitimin dhe ndalimin e dhunës dhe incidenteve nëpër shkolla.

“Drejt dhunës fundosen ata që kanë humbur  fuqinë e argumenteve. Tek të rinjtë ka hapësirë të mjaftueshme për debate, dhe kjo është mënyra e vetme me të cilën duhet të tejkalohen të gjitha situatat e mospajtimeve”, theksoi ministrja e brendshme, Gordana Jankullovska. 

Sipas statistikave numri më i madh i incidenteve nëpër shkolla ka ndodhur në Shkup, më pas vijojnë Tetova, Manastiri dhe Ohri. Jankullovska theksoi se ky projekt ka për qëllim që të tejkalojë këtë problematikë.  Projekti ka si qëllim shoqërimin e të rinjve pavarësisht dallimeve të tyre etnike, fetare, etj.  Para shkollave të vendit do të vendosen libra dhe broshura ku nxënësit do të shkruajnë porosi kundër dhunës. 

Lajme të ngjashme

Back to top button