Alergjia anti-Rama

Në thesin e dukurive tona të shumta për të cilat vështirë mund të jepet ndonjë shpjegim racional, dallohet edhe qëndrimi i shqiptarëve jashtë kufirit ndaj pushtetit të ri në Shqipëri, ose thënë më mirë, ndaj secilës parti në pushtet që nuk kryesohet nga z. Sali Berisha.

Kështu, javën e kaluar shpërthyen emocionet kundër deklaratës së Kryeministrit të ri shqiptar, z. Edi Rama, që mjaftoi për ta kontestuar patriotizmin e tij nga licencuesit e autorizuar. Në fakt, deklarata e dhënë në prani të Kryetarit të Maqedonisë u deformua që në fillim, duke e prezantuar atë si shprehje barazimi mes shqiptarëve në Maqedoni dhe pakicës maqedonase në Shqipëri. Në këtë drejtim, është shumë e kuptueshme dhe parimore të thuhet që nuk mund të kërkohet prej tjerëve atë që nuk e ofron vetë. Kjo ishte edhe deklarata e Kryeministrit, i cili nuk përmendi përqindje, barazime ose operacione tjera matematikore.

Megjithatë, alarmi tek shqiptarët këtej kufirit gjëmoi menjëherë. Ndokush mund të mendojë gabimisht se skena jonë është aq e zgjuar, saqë gjithçka kalon në thjerrën e debatit publik, duke kundërshtuar dhe shprehur mendime të ndryshme. Asnjë fjalë për politikanët vendas dhe politikat korruptive, për milionat e zhdukur dhe rrugaçët që ribrendohen në elitë. Jo, rehatia e siguruar nuk ia vlen të rrezikohet, andaj sulmohet Rama si një shënjestër e sigurtë që mund të diskreditohet vetëm në një mënyrë – patriotizmin me standardet e mëhallave.

Me gjasë, problemi qëndron diku tjetër. Vështirë pranohet fryma e ndryshimeve në Tiranë, meqë një ditë, diçka e tillë mund të ndodhë edhe këtu, tek selitë e shenjta partiake dhe faktorët e degëve dhe nëndegëve. Pavarësisht të arriturave të shumta të qeverive të z. Berisha, ai tashmë i takon historisë politike. Mirë ose keq, kështu e vendosën votuesit e Shqipërisë, ata e kërkuan ndryshimin dhe është koha që do ta dëshmojë nëse kjo është për të mirë ose jo.

Pikërisht kjo i tmerron ata që besojnë në pushtetin që ju takon natyrshëm, duke nxitur frikë dhe reagim në panik. Një prej arsyeve për zhvillimin tonë të rudimentuar është edhe refuzimi kronik ndaj ndryshimeve, çfarëdo qofshin ato, meqë kështu prishet renditja e përcaktuar dhe për më tepër, dëshmojnë se askush nuk është i pazëvendësueshëm. 

Mbi të gjitha, tek strukturat partiake këtej logjikisht ngjallet frika se çka mund të ndodhë nëse administrata e udëhequr nga Kryeministri Rama jep rezultate të prekshme, larg folklorit dhe telave të çitelisë. Një pyetje kjo mjaft thelbësore, duke e shënuar përfundimisht kalimin nga temat historike dhe romantizmat, drejt modelit të ndërrimit të pushtetit në bazë të programit.  

Rezultatet e qershorit në Shqipëri i dhanë shuplakë ideve “natyrale” për ndryshimin e kufijve dhe sharlatanëve të ndryshëm që çështjet reale tentojnë t’i maskojnë me flamur dhe frustrime tjera të të kaluarës, që ndonëse mund të jenë të arsyeshme, nuk i zgjidhin problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët – ekonomia, sundimi i ligjit, siguria dhe jeta cilësore.  

Kundrejt pritjeve të larta ose paragjykimeve të fuqishme, ka disa veprime që mund të ndërmerren nga pushteti i ri në Tiranë, që kuptueshëm për momentin ka edhe prioritete tjera. 

Për ne që nuk prekemi drejtpërdrejtë nga vendimet e kryeministrave shqiptarë, megjithatë ka efekt nëse ndryshon qëndrimi drejt politikanëve tonë që i shfrytëzojnë kolegët në Tirane për foto-sesione parazgjedhore. Ndërkohë që këshilltarët e shumtë mbetet të tregojnë rezultate dhe qëndrime objektive, do të jetë shenjë e mirë nëse shteti shqiptar e ngrit cilësinë dhe nivelin diplomatik në Shkup, përtej raporteve me oborrin partiak shqiptar. Në një fushë tjetër, mund të konsiderohet hapja e një qendre kulturore në Shtëpinë e Alfabetit në Manastir, tashmë kur politikanët lokalë shqiptarë nuk treguan vullnet dhe kapacitet për këtë. 

Mbi të gjitha, efekti më i madh do të arrihet përmes qeverisjes së mirë, politikave cilësore dhe qëndrimit të denjë shtetëror. Kjo do të ishte përfitimi më i madh për të gjithë ne, ende pa u integruar së bashku në Evropë, për çka do të na duhen edhe shumë vite dhe më tepër mend.  

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

   

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button