Malli për gjeniun

Punë shejtani është malli.

Ndodh që të të kaplojë dëshira për ta parë dikend, por s’shkon shumë kohë kalon vetvetiu. S’qenka mall vetëm moment dobësie. 

Kurse malli s’kalon, sa vjen shtohet aq sa mësohemi të jetojmë me të. Dhe nisim e adaptohemi me “mekanizmin e përshtatjes rrethanave” për të cilin flasin psikologët. Kur rrethanat s’varen nga ne atëherë domosdo adaptohemi që mos biem në pikëllim se pikëllimi është qorsokak –  gjoja ec, por s’mbërrin askund.

Ashtu një ditë të kujtova me mall…mandej shkova në një nga ato kabinat për bisedime ndërkombëtare, por s’të kapa dot…mandej vazhdova në kafe dhe bisedova gjatë për ty. Edhe kjo është mekanizëm. 

Na pëlqen të flasim për dikend kur s’mundemi me të, çështje kompensimi.

…i flisja atë ditë një miku për ty – studentin e vetëm me mesatare 10 përgjatë 70 viteve të  Fakultetit të Matematikës në Shkup. Superioritetin në garat nacionale dhe medaljet fituar në Olimpiada botërore. Studimet e masterit dhe doktoraturës në Universitetin shtetëror të Njujorkut ku prap doli ndër me të spikaturit në konkurrencë me kandidatë ardhur me rekomandime nga gjithë bota. Punimet shkencore botuar në revista me impakt faktor të tillë ku deri tash s’ka depërtuar asnjë matematikan i këtyre anëve. Për shoqërimin me nobelistë dhe fitues çmimesh më të larta shkencore. Për crazy orarin tënd që ndonjëherë bukvalisht do të thotë natë e ditë punë për të zgjidhur ndonjë ekuacion që gjatë të ka munduar…të kam parë në ato faza, kur s’flen, harron të hash, s’dëgjon çka flitet rreth teje. Atëherë ke Nur të posaçëm, fytyra të ndrit siq u ndrit vetëm të zgjedhurve, vështirë të gjej fjalë. 

Aq i fola e fola mikut atë ditë për tezakun sa në fund u ndjeva e çliruar nga barra që rëndonte.

Kuptohet e biseduam edhe anën tjetër të Ilir Snopçes: bodi-bildingun si pasion që ka bërë të duket më shumë si Mister se sa si shkencëtar; merhametin që e bën të jetë në kontakt me fammiljen e gjerë më tepër se sa kushërinjtë tjerë që jetojnë këtu ama janë “shumë busy”; për disciplinën fetare pavarësisht ku ndodhet dhe sa punë ka, për të kuptuarit autentik të religjionit, njohjen dhe interpretimin e shkëlqyer të Librit të shenjtë – konsultanti im kryesor për çështjet metafizike; për mediatorin për lëmshet eventuale mes njerezve që i zberthen duke qenë herë i drejtpërdrejtë  herë diplomat. 

…të nisesh dikund me Ilirin në këmbë nëpër Gostivar patjetërson të ndash shumë extra kohë. Se kur ec me Ilirin shumica e kalimtarëve ndalen për t’a përshëndetur të ardhurin nga Amerika, vozitësit i ndalin veturat  që t’ia japin dorën, shitësitë e tezgave çohen në këmbë dhe ky u drejtohet me emër, dyqanxhinjtë dalin nga dyqanet…kur shkon Iliri në namazin e xhumasë, më kanë treguar dëshmitarët, në xhami krijohet festë e vogël se ai vetë përbën një Festë lëvizëse si në atë titullin e Heminguesë.. me të gjitha rezultatet shkencore, me mënyrën si u qaset njerëzve, me dashurinë që i lexohet në gjestet dhe shikimin, me bukurinë fizike të trupit dymetërsh sajuar me sport…

Ecja me të është ngjarje e denjë për video art, i kam thënë që do e bëj ndonjëherë me profesionistë…  ai është përgjigjur me atë buzëqeshjen e vet speciale! E sheh Ilir nga fjalët këtu se sa më ka marr malli. Jam deklaruar tashmë që do vijmë me Barletin në Rio de Janeiro për Kampionatin e futbollit 2014. Nuk është edhe aq larg sa mos të  jetë e realizueshme. Mandej kur diçka duam shumë – shumë gjasa ka që të bëhet. 

…nga një intervistë televizive një mikes i kishte mbetur në mendje qe t’i flen pak që të arrish shumë dhe kishte filluar të shkurtojë gjumin, të zgjohet me myezinin e parë…s’di a i ka kaluar në tabijat, por di për tabijatin tënd të “gjumit preciz”, si t’a quaj ndryshe faktin se kur gjatë hulumtimit të vjen të bësh një sy gjumë, i thua vetes që do flesh të themi 20 min dhe zgjohesh vetë tamam në kohë…

…i ruaj letrat që m’i ke dërguar via mail, dhe shokët e mi qeshen kur u them se mund të vijë koha kur ndoshta do pasurohem prej tyre (Luli thotë që edhe nga sms-at mund të dalë një libërth, dikush paska botuar roman në bazë të korrespodencës celulare). 

Ja një fragment nga libri i mundshëm:

…E di, pret të tregoj diçka për mua, këtu  në sheshin e shkencës, në qytetin i cili 300 vjet ka qenë qendra e botës për matematikë, fakultetin ku kanë punuar 95 nga 100 matematikanët më të mirë të të gjithë kohërave….; s’mund të përshkruhet me fjalë kjo ndjenjë, është sikur një basketbollist i ri të ketë nderin të luajë në NBA….por edhe kjo për shkurt, pastaj duket diçka shumë normale. Në fillim çdo ditë shkoja në drekë me njerëz të ndryshëm, zakonisht vizitorë nga universitetet më të njohura të botës,…dhe më vinte shumë mirë,…muhabete specifike, por edhe gafe të shumta…….kur të shihemi më shumë detaje për këtë.

…bash këtyre ditëve e kisha ndërmend të të paraqitem dhe të të them se s’ka mo deadline, kaq e kishe, patjetër ta mbarosh disertacionin…dhe si duket e ke lexuar mendjen time. Edhe ti edhe vëllau im jeni për qotek, moti duheshte ta merrni titullin Dr., sidomos nëse krahasoheni me “doktorat” e shumtë qe i kemi rreth nesh…po çka të bëj, ju dua shumë, prandaj s’mund ta zgjedh këtë problem me qotek.  Sinqerisht, doktoratura kërkon shumë, por juve ju duhen pare, prandaj bjerni më shkurt.

Edhe unë po i bie shkurt se për ty Ilir mund të shkruaj gjaatë.

CV-ja yte.
Malli im.
Largësia ndërmjet.
Ika tash.

* * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * * 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autorja, sipas marrëveshjes mes tyre.   

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button