Gjermania kërkon me urgjencë infermierë të huaj

Sipërmarrjet gjermane e kanë të vështirë përshtatjen me tregun global të punës. Vërtet që ndalimi dikur i rreptë i kërkimit të punonjësve të huaj i përket së kaluarës, megjithatë migrimi në Gjermani i dëshiruar ndërkohë nga politika për punonjësit e kualifikuar ende nuk po manifestohet si dëshirohet. Problemi qendron në mungesën e kërkesës për fuqi punëtore të huaj nga punëdhënësit gjermanë. Një vështrim në degën ekonomike të përkujdesjes për të sëmurët e të moshuarit e vërteton këtë. Karakteristikë e kësaj dege është mungesa pjesërisht e madhe e punonjësve të specializuar. Gati dy të tretat e instituteve të përkujdesjes kanë vende pune bosh, mesatarisht në çdo sipërmarrje mungojnë 4,3 punonjës. Këtë e konstatoi tani në një studim Qendra për Kërkimet Ekonomike Evropiane (ZEW). U pyetën rreth 600 punëdhënës të degës ekonomike të përkujdesjes shëndetësore dhe tre të katërtat e tyre e karakterizuan plotësimin e vendeve të lira të punës si të vështirë. Megjithatë, vetëm 16 përqind e sipërmarrjeve e kanë shfrytëzuar botën e jashtme për rekrutimin e punonjësve të huaj. Ato preferojnë që të tërheqin më mirë personel nga sipërmarrjet konkurente.

Institucionet e vogla të përkujdesjes shëndetësore druhen ndaj të huajve

Kjo ka një shkak: shumë prej sipërmarrjeve të pyetura me përvojë rekrutimi të fuqisë punëtore në botën e jashtme e quajnë shumë të mundimshëm këtë opsion dhe shumë të shtrenjtë. Veç kësaj ekzistojnë edhe pengesa të mëdha juridike. 83 përqind të sipërmarrjeve kanë përvojë me njohjen nganjëherë të komplikuar të kualifikimeve dhe dëftesave. Edhe vështirësitë me leje e migrimit për shtete të treta ushtrojnë me sa duket efekt frikësues tek punëdhënësit gjermanë. Veçanërisht të vështirë e kanë sipërmarrje të vogla dhe të mesme. Studimi tregon: sa më e madhe të jetë sipërmarrja dhe sa më profesionist sektori i saj i burimeve njerëzore, aq më shumë punonjës të huaj arrin të fitojë.

61 përqind e personelit përkujdesës shëndetësor (infermierëve) vijnë nga Spanja. 19 përqind vijnë nga Polonia dhe 16 përqind nga Kroacia. Nga shtete jo anëtare të BE rrugën për në Gjermani e gjejnë para së gjithash fuqi punëtore nga Bosnjë-Hercegovina, Ukraina, Rusia, Kina dhe Filipinet. Pasi vijnë këtu, ato gjejnë kryesisht mbështetje si nga kolegët, ashtu edhe nga punëdhënësit. Para së gjithash lëvdohet angazhimi i tyre në punë. Gati gjysma e sipërmarrjeve të pyetura tha se angazhimi në punë i të huajve është madje më i lartë se i punonjësve gjermanë.

Migrantët e kualifikuar jo vetëm të lejohen, por të kërkohen

Për të zbutur mungesat në personel në institucionet gjermane të përkujdesjes shëndetësore dhe në azile, botuesit e studimit kërkojnë informime më të mira të sipërmarrjeve, që duan të rekrutojnë punonjës jashtë vendit. Më tej kërkohet që në të gjithë Gjermaninë të praktikohen procedura të njësuara për njohjen e profesionit të personelit të përkujdesjes shëndetësore, si dhe rregulla më të thjeshta dhe më transparente për migrimin.

Një studim i ZEW i vitit të kaluar arriti në përfundimin se migrimi është pozitiv jo vetëm për ekonominë, por edhe për shtetin social gjerman. Kontributi i migrantëve për arkat e sigurimeve për pensionet, për institutet e sigurimit shëndetësor dhe sigurimin për të papunët mund të jetë më i lartë, sikur qasja e migrantëve në tregun gjerman të punës të ishte më e lehtë. Por kjo duhet të nxitet në mënyrë aktive politikisht, rekomandojnë autorët e studimit të ZEW.

Deutsche Welle

Lajme të ngjashme

Back to top button