Rama: Urgjenca shëndetësore në bregdet dhe alpe gjatë sezonit turistik

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se me nisjen e sezonit turistik do të hapen qendra të urgjencës shëndetësore shtesë në një pjesë të madhe zonash turistike si në bregdet edhe në alpe.

Nga qyteti i Vlorës kreu i qeverisë tha se urgjenca shëndetësore gjatë sezonit veror do të ketë shërbim 24 orë, mjek, infermierë dhe se një angazhim i tillë do të vijojë deri në fund të muajit gusht.

Ai informoi se qendrat janë të pajisura me një set standard mjetesh mjekësore, të cilat kanë munguar rëndom në të shkuarën dhe kanë bërë që të ketë shumë konfuzion në rastet kur ka qenë e nevojshme të merret ndihma mjekësore.

Sipas kreut të qeverisë këto qendra të përkohshme janë furnizuar plotësisht me materiale mjekësore për të cilat janë shpenzuar rreth 200 mijë dollarë.

“Është rasti për të rikujtuar se jemi në kushtet kur kemi fituar një hapësirë manovrimi si rezultat i politikës agresive të ndjekur për uljen e çmimit të ilaçeve. Duke realizuar premtimin, një zotim i fuqishëm i yni, duke e ulur çmimin me 30% dhe tashmë ilaçet në Shqipëri nuk shiten më shtrenjtë se andaj nga vijnë. Pamundësia për t’u shërbyer në kohë reale njerëzve që kanë probleme apo nevojë për ndihmë mjekësore në vijën bregdetare ka marrë drejtim. Tanimë këto qendra do jenë dhe në plazhe si dhe në alpe, në Valbonë, Razëm, Theth dhe kush ka nevojë për ndihmën mjekësore do e marrë aty pranë”, u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi më tej se nga janari 2015 ka një qendër kombëtare të urgjencës shëndetësore, duke thënë se ambicia për urgjencën është shumë e madhe.

Në vijim ai nënvizoi se as nuk mendohet që në 18 muaj të jetë kryer ambicia për urgjencën, duke thënë se aq muaj janë shumë pak për të transformuar një shërbim urgjence që ishte bërë si funeral, në një shërbim që t’u gjendet pranë qytetarëve në çdo kohë.

Megjthatë ai tha se 18 muaj janë mjaftueshëm për të parë me fakte konkrete se shërbimi i urgjencës në Shqipëri është kthyer në drejtimin e duhur.

Rama theksoi se tashmë ka helikopter të emergjencës mjekësore që shërben pa dallim gjithë qytetarët që kanë nevojë për tu spostuar me urgjencë drejt Tiranës, apo drejt spitaleve ku e kanë të nevojshëm trajtimin shëndetësor.

Ai e cilësoi si sezon kthese turistik, për shkak të prurjes së madhe të turistëve që priten këtë vit, përmes zërit të mirë që ka dalë Shqipërisë nëpër Europë./noa/

Lajme të ngjashme

Back to top button