Projekti i autostradës Durrës-Nish nënshkruhet në gjysmën e qershorit

Protokolli për realizimin e projektit të autostradës Durrës-Nish do të nënshkruhet brenda 15 ditësh. Nënshkrimi i këtij protokolli pritet të bëhet rreth 15 qershorit nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Deklarata është bërë nga ministrja serbe e Infrastrukturës, Zorana Mihajloviq, gjatë një interviste për gazetën serbe “Kurir”.Ajo shprehet se projekti i autostradës Nish-Merdare-Prishtinë-Tiranë-Durrës do të kushtojë rreth 1 miliard euro.
“Distanca totale është rreth 385 kilometra dhe lidh Korridorin 10 nga Nishi në Serbi, mbi portin e Durrësit me Prishtinën. Kjo është lidhja kryesore në mes të Korridorit 10 dhe 8 (Maqedonisë dhe Bullgarisë), dhe kryqëzohet me rrugën Shkup-Prishtinë, si dhe rrugën Sarajevë-Podgoricë-Vlorë.
Vlera e parashikuar e investimit është 1 miliard euro”, thotë ministrja Mihajloviq, transmeton Shekulli.Ndërkohë ministrja theksoi se projektet do t’i prezantohen në gusht Vjenës.
“Serbia dhe Shqipëria prej 6 muajsh janë duke punuar rreth kësaj dhe jemi duke i përgatitur projektet të cilat dy kryeministrat do t’i prezantojnë në Vjenë gjatë muajit gusht”, ka thënë Mihajloviq.Ajo theksoi se kjo autostradë do të jetë e rëndësishme sepse lidh rajonin, sidomos për Serbinë, e cila do të sigurojë dalje në det nëpërmjet Shqipërisë.
Ndërkohë që deklaroi se stabiliteti politik është kusht për realizimin e këtij projekti.Ministrja serbe përgëzoi kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për pritjen e ofruar në Shqipëri gjatë vizitës dyditore. “Rama ishte një mikpritës i shkëlqyer. Fjalët dhe sjelljet e demonstruara treguan angazhimin për bashkëpunim të plotë dhe përmirësimin e marrëdhënieve. Bisedimet ishin intensive”, tha ministrja, duke pohuar se do të jetë dhe ajo pjesë e turistëve të bregdetit shqiptar.

Lajme të ngjashme

Back to top button