Ahmeti: Dua hetim ndërkombëtar për Kumanovën

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se çdo cenim dhe lëndim i Marrëveshjes së Ohrit, për ta zvogëluar ose zmadhuar atë, është gabim.

“Ajo është një Marrëveshje që e garanton BE-ja, NATO-ja etj.”, ka thënë ai.

Në një intervistë në Vizion Plus ai ka thënë se nuk ka mohuar se i ka njohur djemtë që kanë marrë pjesë në luftimet e fundit në Kumanovë.

“Asnjëherë nuk e kam mohuar se një pjesë të tyre i kam njohur edhe në vitin 2001, nuk e mohoj as sot. Por, shumë shqiptarë të Kosovës kanë miqësi në Maqedoni. Midis Maqedonisë e Kosovës nuk ka gjemba, e mure të Berlinit. Ka patrullim të përbashkët, s’ka hasmëri”.

Sipas tij, Kumanova ka kosto të lartë, jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për shqiptarët në rajon, “gjoja se shqiptarët janë element ekstremist, turbullues etj”.

“Shqiptarët në Maqedoni duan anëtarësimin në BE e NATO, duan marrëdhënie ndëretnike me bashkëqytetarët e tyre maqedonas, duan zhvillim ekonomik, duan ta realizojnë dhe ta zbatojnë deri në fund Marrëveshjen e Ohrit. Ata njerëz janë të gjallë. Nuk dua të merrem me spekulime. Dua një hetim të drejtë ndërkombëtar. Dua që të zbardhet e tërë e vërteta sepse vetëm ajo i nxjerr në sipërfaqe qëllimet”, tha Ahmeti.

Lajme të ngjashme

Back to top button