A kanë legjitimitet BDI dhe PDSH të përfaqësojnë shqiptarët në takimin e liderëve?

 

Partitë opozitare vlerësojnë se BDI dhe PDSH kanë humbur çdo legjitimitet për të përfaqësuar shqiptarët para palës maqedonase, gjatë takimeve të katër liderëve që u realizuan dhe ato që do të vijojnë.

Afrim Gashi nga Lëvizja “Besa” vlerëson se dy partitë shqiptare, BDI dhe PDSH kanë pasur plot raste e mundësi që t’i parashtrojnë kërkesat shqiptare kur i kanë marrë votat e shqiptarëve në të gjitha zgjedhjet ose kur kanë qenë pjesëmarrës në qeveritë paraprake.

“Fatkeqësisht, BDI dhe PDSH kanë humbur çdo legjitimitet që të shtrojnë kërkesa me interes për shqiptarët para palës maqedonase në takimin e liderëve që do të vijojnë. Ata kanë pasur plot raste e mundësi që t’i parashtrojnë kërkesat shqiptare kur i kanë marrë votat e shqiptarëve në të gjitha zgjedhjet ose kur kanë qenë pjesëmarrës në qeveritë paraprake. Madje, BDI-ja nëntë herë radhazi e ka fituar besimin e shqiptarëve në nëntë palë zgjedhjet e fundit që janë mbajtur në Maqedoni dhe, për fat të keq, ka dështuar në secilën herë që ta shtrojë ose realizojë ndonjë nga kërkesat thelbësore të shqiptarëve. Hiç më larg se para një viti ata morën 153 mijë vota shqiptare të përkthyera në 20 deputetë dhe sërish nuk kishin mundësi të shtrojnë asnjë çështje serioze dhe as ta realizojnë ndonjërën nga ato. Prandaj, të gjendur në këtë situatë, nuk mund të mos pyesim se a ka mundësi të besojmë që një parti që me këtë fuqi nuk arriti të përfitojë asnjë favor për shqiptarët, që tash do të bëjë mrekulli. Fjala e urtë shqipe thotë: ‘Dita e mirë shihet në mëngjes’”, tha për Portalb, Gashi.

Ai shtoi se “Besa” do ta përkrahë secilin subjekt politik që shfaq gatishmëri për t’i realizuar interesat shqiptare të artikuluara në platformën e tyre.

“Lëvizja Besa parimisht do ta përkrahë secilin subjekt politik që shfaq gatishmëri për t’i realizuar interesat shqiptare të artikuluara në platformën tonë, por nuk mund të mos e shfaqim rezervën tonë se platformat dhe kërkesat jo që nuk janë shtruar e shkruar nga subjektet tjera edhe më herët, por njerëzit janë ata që duhet të këmbëngulin dhe t‘i jetësojnë ato. Kjo është një nga arsyet pse ne vendosëm të organizohemi në një subjekt politik që do të ofrojë rreth vetes njerëz, të cilët ose do të punojnë sipas asaj që e kemi shkruar në platformë ose nuk do të jenë pjesë e Lëvizjes Besa”, shtoi Gashi.

Gjithashtu edhe na PPD vlerësojnë se vetëm pjesëmarrja e BDI dhe PDSH në bisedime është e mjaftueshme që të mund të themi se shqiptarët janë të përfaqësuar në mënyrë të duhur.

“Fillimisht ne nuk mendojmë se vetëm pjesëmarrja e BDI dhe PDSH në bisedime është e mjaftueshme që të mund të themi se shqiptarët janë të përfaqësuar në mënyrë të duhur. Ky qëndrim i joni vjen sepse ne mendojmë se është i vënë në pikëpyetje legjitimiteti dhe kredibiliteti i Partisë në pushtet BDI,dhe i Partisë që është me pushtetin PDSH,gjykuar nga ajo që po dëgjojmë në ‘bombat e Zaevit’,autenticitetin e të cilave nuk e konteston askush. Prandaj jemi të bindur se në këto biseda duhet të kyçen edhe sektori civil dhe partitë më të vogla shqiptare,me qëllim të vënies së një balance. Pa kyçjen e tyre i bie se pozita shqiptare po bisedon me vetveten”, tha për Portalb, Faton Aliti nga radhët e PPD-së.

Ai shtoi se PPD mendon se kërkesa kyçe në bisedat për përcaktimin e kornizës për tejkalimin e krizës duhet të jetë Qeveri kalimtare e koncentracionit,ku do të ketë edhe përfaqësues të sektorit civil.

“Kjo Qeveri kalimtare nuk mund të përfshijë personat e stigmatizuar nga  përgjimet, kuptohet as Kryeministrin aktual. Në agjendën e asaj Qeverie duhet të jetë me doemos sigurimi i kushteve për Zgjedhje demokratike në plot kuptimin e fjalës dhe formimi i një Gjykate speciale e cila do ti procesuonte rastet ‘Puçi’ dhe ‘Përgjimet’.  Sa i përket kërkesave të Shqiptarëve për koalicionim pas Zgjedhjeve të cilat do ti organizonte ajo Qeveri,mendojmë se ato duhet të jenë rezultat i një debati paraprak në mes të të gjitha subjekteve politike,asociacioneve të ndryshme (Oda Ekonomike,punonjës të Arsimit etj.)dhe sektorit civil në përgjithësi. E gjitha kjo,me qëllim që të përcaktohet një minimum pa të cilin asnjë subjekt politik shqiptar, nuk do të duhej të pranojë ftesën për bashkëqeverisje”, shtoi Aliti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Normal se ata dy parti , tani e kan shansin qe ti realizojn te gjitha premtimet e dhena elektoratit dhe me pastaj le te vendos Mileti se kujt do t’i besoj ne tw ardhmen.

Back to top button