Kuvendi i Kosovës shtyn seancën për themelimin e Gjykatës Speciale

Kuvendi i Kosovës ka shtyrë në afat të pacaktuar seancën në të cilën pritej të diskutohet themelimi i Gjykatës Speciale.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, në emër të koalicionit qeverisës propozoi shtyrjen e seancës me arsyetimin se kuvendi ende nuk e ka pranuar draft-ligjin që duhet të vijë nga Brukseli.

“Në mungesë të materialeve për të cilat vlerësojmë se duhet të debatojmë dhe me qëllim që deputetëve t’u afrohet mundësia të shohin se çka kemi me votu, meqë draft-ligji pritet të na vijë nga Brukseli, duhet të përkthehet dhe t’u ofrohet deputetëve, ne propozojmë që kjo seancë të shtyhet deri sa t’i kemi materialet e nevojshme për t’i analizuar”- tha Adem Grabovci nga PDK.

Por, deputetët opozitarë vlerësuan se shtyrja u bë për shkak se pushteti nuk kishte arritur të siguronte votat e mjaftueshme.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, partia e të cilit së bashku me AAK-në dhe partinë NISMA janë shprehur kundër themelimit të Gjykatës Speciale, tha se ata mbështesin që formimi i kësaj gjykate të mos vijë fare në kuvend, ose të shtyhet pa fund.

“Gjykata Speciale ose nuk duhet të vijë fare në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ose do të duhej të shtyhet deri në pafundësi. Cilido prej këtyre versioneve është i pranueshëm për Lëvizjen Vetëvendosje”- tha Glauk Konjufca nga Vetëvendosje.

Paralajmërimi i kësaj seance ka qenë shkas që veteranët e UÇK-së, të përkrahur edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, të organizojnë një protestë para kuvendit.

“Kundërshtojmë Gjykatën Speciale që deputetët e Kuvendit të Kosovës të mos pranojnë të votojnë një gjykatë të tillë, sepse është e dëmshme për Kosovën dhe shkelë mbi sovranitetin tonë”- theksoi Smajl Elezaj nga OVL-UÇK.

Pas konfirmimit të shtyrjes së seancës së kuvendit ka përfunduar edhe protesta, e cila krahas kundërshtimit të krijimit të Gjykatës Speciale, ishte organizuar edhe kundër dënimit të “Grupit të Drenicës”, pasi dy ditë më parë një trup gjykues i EULEX-it u shqiptoi 65 vjet burg 11 ish pjesëtarëve të UÇK-së, në mesin e të cilëve edhe komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimit, dhe Sami Lushtakut, komandant i Zonës Operative të Drenicës

Lajme të ngjashme

Back to top button