Aliti: Shqiptarët duan të jetojnë të barabartë me maqedonët (Video)

Nënkryetari Parlamentit të Maqedonisë, Rafiz Aliti i BDI-së, në emisionin Pa Rrotlla flet për shkaqet që quan në luftimet e Kumanovës, mosimplementimin Marrëveshjes së Ohrit dhe për mundësinë e bashkëjetesës së shqiptarëve dhe maqedonëve në një shtet.

Aliti e quan Marrëveshjen e Ohrit, marrëveshje të paqes, e cila e ndali luftën, por që nuk u implementua.

Thotë se si institucione dhe subjekte politike mbajnë përgjegjësi për djemtë që u vranë në Kumanovë, të cilët kanë qenë luftëtarë të UÇK-së edhe në luftën e vitit 2001 në Maqedoni.

“Ata djem dhe shumë djem të tjerë kanë sakrifikuar veten edhe në vitin 2001 dhe gjithsesi duhet të jepet llogari deri ku është arritur me Marrëveshjen e Ohrit”, tha Aliti.

Ai tha se politikanët në Maqedoni, para takimeve me përfaqësuesit e BE-së dhe mekanizmave të tjera, tërë ditën flasin për Marrëveshjen e Ohrit, por posa të dalin nga takimi angazhohen se si t’i bëjnë obstruksion Marrëveshjes.

Sipas tij nuk mjafton angazhimi i vetëm një subjekti politik për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Parashtrohet pyetja: a duan shqiptarët e Republikës së Maqedonisë të jetojnë bashkë me maqedonët? E them me përgjegjësi se po, por duan të jetojnë të barabartë me maqedonët. Por shtrohet pyetja se, a duan maqedonët të jetojnë bashkë me shqiptarët në një shtet? Këtu ka shumë pikëpyetje?”, tha ai, duke vlerësuar se dikush nuk e don Maqedoninë me qytetarë të barabartë.

Lajme të ngjashme

Back to top button