Putin: SHBA-të dëshirojnë ti marrin Rusisë organizimin e Kampionatit Botëror 2018

Presidenti rus, Vladimir Putin tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë përfshirë në punët e FIFA-s në përpjekje për të marrë nga vendi i tij organizimin e Kampionatin Botëror në vitin 2018, transmeton Anadolu Agency (AA).

Putin të enjten gjatë paraqitjes në televizion tha se ishte “e çuditshme” se hetimi në FIFA është nisur pas kërkesës nga zyrtarët amerikanë, për shkak të asaj që siç thotë, nuk përfshin qytetarët amerikanë dhe nuk ndodhi në SHBA. Në një hetim të veçantë, prokurorët zviceranë hetojnë dhënien e organizimit të Kampionatit Botëror- Rusi 2018 dhe Botërorin 2022 Katar.

Putin tha se arrestimi i shtatë zyrtarëve të FIFA-s në Cyrih të mërkurën “është edhe një përpjekje për të rrezikuar rizgjedhjen e Joseph Sepp Blatter për presidencën e FIFA-s”. Presidenti rus tha se është i vetëdijshëm për presionin e madh ndaj Blatterit i cili mbështet Rusinë për organizimin e Kampionatit Botëror të futbollit.

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) është duke u përgatitur për Kongresin, në të cilin do të zgjidhet presidenti i ri.

Përgatitjet për zgjedhjen e drejtuesve të FIFA-s vijojnë në atmosferë të hetimeve të korrupsionit të cilat janë duke u kryer kundër anëtarëve të saj, pas arrestimit të shtatë zyrtarëve të FIFA-s në Cyrih.

Presidenti i ri do të mësohet  pas zgjedhjeve që do të zhvillohen nesër në Cyrih në Kongresin e 65-të FIFA-s.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Mbretërisë së Holandës (KNVB), Michael van Praag dhe ish-futbollisti portugez Luis Figo, më herët u tërhoqën nga gara për president të FIFA-s.

Garën vazhdojnë Joseph Sepp Blatter 79 vjeç, i cili 17 vjet udhëhoqi këtë organizatë, dhe Princi jordanez Ali bin Al Hussein.

Lajme të ngjashme

Back to top button