SHGM kërkon të ndalohet shpenzimi i parave për propagandë politike në mediumet

Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) kërkon që fushatat qeveritare të rregullohen me ligj të posaçëm, në të cilin do të ndalohen që institucione publike të shpenzojnë para në propagandë politike në mediumet.

“Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë nga viti 2011 vazhdimisht ka përsëritur se njëra ndër arsyet kryesore për rënien e lirisë së mediave në Maqedonië është shpenzimi jotransparent i parave publike për financimin e mediave. Qëndrimi ynë është se qeveria përmes fushatave mediatike me para publike korrupton median për të ndikuar mbi politikën e tyre editoriale. Ky qëndrimi i SHGM është konfirmuar edhe nga Komisioni Evropian, i cili në raportin për përparimin e Maqedonisë në vitin 2014 ka theksuar se – ekziston kontroll indirekt i shtetit mbi mediat dhe favorizim i mediave proqeveritare.”, ka deklaruar kryetari i SHGM-së, Naser Selmani.

SHGM ka publikuar një analizë me të dhëna konkrete për të argumentuar qëndrimet e tyre

“Konkluzioni i parë nga të dhënat e fituara është se qeveria shpenzon mjete të mëdha për fushata mediatike, të cilat në të shumtën e rasteve nuk kanë lidhje me interesin publik të qytetarëve. Qeveria politikat e saj i ka shpallur për interes publik, që është e paimagjinueshme për një vend demokratik, ku për çdo masë të qeverisë zhvillohet debat i ashpër për arsyeshmërinë e tyre. Me shtatë milion euro të shpenzuara për tre muaj në mediat elektronike dhe të shtypura qeveria është ndër reklamuesit më të mëdhenj në media. Ky është rrezik serioz për korrupsion dhe krijon parakushte për të ndikuar mbi politikën editorial të mediave, se si ato trajtohen apo nuk trajtojnë çështje të ndryshme në shoqëri”, ka deklaruar Selmani.

Sipas tij nga kjo analizë shihet se qeveria më shumë fushata publikon në media që sipas mënyrës së raportimit janë proqeveritare ndërsa më pak në ato media që janë kritike ndaj saj.

“Konkluzion i dytë është se fushatat zbatohen në mënyrë jotransparente dhe pa kurrfarë kriteresh për shpërndarjen e tyre. Nuk ekziston një sistem apo procedura të caktuara në institucionet publike përmes të cilave do të mundet shpejtë të merren të dhëna për fushatat. Nuk ka kurrfarë mekanizmi për llogaridhënie dhe përgjegjësi për të kuptuar nëse institucionet publike mjetet i përdorin në mënyrë efikase dhe efektive. Nuk ekziston mekanizëm që garanton se fushatat shërbejnë për interesin publik të qytetarëve, e jo për qëllime partiake dhe politike. Kjo situatë shton dyshimin në opinion se këto mjete shpenzohen për të ndikuar mbi mënyrën e raportimit të medieve”, ka deklaruar Selmani.

Prandaj, SHGM vlerëson se qeveria menjëherë duhet të ndërpres publikimin e fushatave në mediat private derisa nuk largohen dyshimi në opinion se fushatat shërbejnë për korruptimin dhe kontrollin e mediave.

“SHGM kërkon që fushatat mediatike të qeverisë të rregullohen me ligj, ku do ndalohej që institucione publike të shpenzojnë mjetet për propagandë politike në media dhe qartë do të definohet interesi publii i qytetarëve. Procesi i shpalljes së fushatave do të jetë transparent në bazë të kritereve të qarta për shpërndarjen e tyre”, ka përfunduar Slemani.

Lajme të ngjashme

Back to top button