USAID-i do të ndihmojë edhe 160 kultivues të misrit dhe lulediellit

Sot, Projekti i USAID-it për Zgjërimin e Bizneseve të Vogla i bashkë-financuar nga qeveria e Zvicrës startoi zgjerimin e iniciativës “Të kultivojmë më shumë misër”. Këtë vit do të dhurojë 160 sisteme për ujitje me pika për kultivimin e misrit dhe lulediellit. Dy sistemet e para për ujitje me pika në mënyrë solemne u startuan nga ambasadori i SHBA-së Xhes Bejli, ministri i bujqësisë, Mihail Cvetkov, dhe zëvendës drejtoresha e misionit të Zvicrës, Katarina Shtoker, në fushat me misër të Mendul Fetai nga fshati Llopat dhe të Igor Jankullovski nga fshati Gollozinci.

„Sistemet për ujitje me pika nuk do të jenë vetëm në dobi të prodhuesve të misrit, por edhe në dobi të industrisë për prodhimin e qumështit. I inkurajojmë bujqit dhe përpunuesit e qumështit të na bashkohen në transformimin e prodhimit të misrit dhe qumështit në Maqedoni përmes investimit në teknologji të reja dhe përmes edukimit për praktika më të mira bujqësore,“ deklaroi ambasadori Bejli.  „Shpresoj që me përkrahjen e vazhdueshme të partnerëve tanë – Ministrisë për Bujqësi, Agjencisë për Mbështetjen e Zhvillimit të Bujqësisë, dhe përpunuesve të qumështit– prodhimi i misrit dhe qumështit në Maqedoni do të bëhet një biznes më fitimprurës.“

Në demonstrimin e sistemeve për ujitje me pika morën pjesë dhe kryetarët e komunave të Rajonit Verilindor dhe Rajonit të Vardarit, përfaqësues të Agjencisë për Mbështetjen e Zhvillimit të Bujqësisë, drejtorët e Qendrave për Zhvillim Rajonal të të dy rajoneve si dhe bujq lokal.

Prej 2013 e deri më sot, Projekti i USAID-it për Zgjërimin e Bizneseve të Vogla  ka vendosura sisteme për ujitje me pika dhe ka promovuar protokolle bujqësore të avancuara në 120 fusha me misër dhe luledielli në rajonin e Pollogut, Pellagonisë, rajonin Verilindor dhe të Vardarit. Me zgjërimin e këtij viti, projekti do të ketë ndihmuar 280 bujq të dyfishojnë, dhe në disa raste të trefishojnë rendimentet e misrit dhe lulediellit duke e përdorur sistemin për ujitje me pika. Për arsye se shumica e prodhuesve të misrit e përdorin misrin për ushqim të bagëtisë, rendimentet e zmadhuara iu mundësojnë të ushqejnë katër herë më shumë lopë me të njëjtën tokë punuese. Ashtu siç do të rritet numri i bujqve që do ta shfrytëzojnë këtë qasje të prodhimit të misrit dhe lulediellit, ngjashëm do të përmirësohet konkurrenca, përfitimi, produktiviteti, dhe qëndrueshmëria e agrobizneseve të vogla.

Lajme të ngjashme

Back to top button