Forumi Ekonomik i Vjenës, Rama: Synimi i përbashkët, të bëhemi pjesë e BE-së

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në forumin rajonal ekonomik të Vjenës, i cili zhvillohet në Tiranë, deklaroi se rajoni ndodhet në fazë të re bashkëpunimi.

Ai tha se nuk ka kohë për të kthyer kokën mbrapa, por duhet të ecet përpara, duke shtuar se ndërlidhja është thelbësore për rajonin.

“Nuk mund të ecim të vetëm por të ndërlidhur. Askush nuk është i paprekshëmn, nga ndëshkimet apo fuqitë e mëdha ekonomike të botës dhe ndaj duhet të zhvillojmë më tej mundësinë e asaj çka jemi. Vendi i vërtetë ku bashkëpunimi dhe sfida ekonomike janë thelbësore janë vendet pranë shtëpisë, rajoni dhe Europa. Synimi ynë i përbashkët është të bëhemi vende të BE, jemi të gjithë të vetëdijshëm se nuk është e lehtë, por duhet ti përdorim në mënyrë të mençur sfidat që shtrihen para nesh”, u shpreh Rama.

Në vijim ai shtoi se si rajon janë shënuar përparime.

Në fjalën e tij Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç vlerësoi shkëmbimin e mendimeve të vendeve të rajonit, duke thënë se bie dakord me Kryeministrin Rama për bindjen e përbashkët se synimi është Bashkimi Europian.

Ai tha se rruga e përbashkët e gjithë vendeve të rajonit është BE. Vuçiç deklaroi se gjithë vendet e rajonit duhet të çojnë projekte të përbashkëta në BE, në mënyrë që të ndërlidhen dhe të marrin mbështetje.

“Kemi një treg prej më shumë se 20 milionë, dhe duhet të kemi më shumë besim të vetja. Duhet të dalim para institucioneve të BE, dhe të kërkojmë atë që meritojmë. I kam propozuar Ramës që të firmosim bashakrisht disa projekte të përbashkëta dhe t’ia paraqesim ato BE-së. Nëse nuk e marrim këtë mbështetje do ta nisim me paratë tona, edhe pse do jetë më e vështirë. Iniciativat për shkëmbimet që janë prezantuar në Berlin, do të rrisin bashkëpunimit në nivel rajonal për rininë. Serbia është shumë e hapur për të gjiha programet integruese në Ballkanin Perëndimor. Ne inkurajojmë stabilitetin, dhe ky stabilitet që ka qenë dy vitet e fundit besoj se do të vazhdojë. Kërkojmë bashkëpunim dhe reforma, për t’u zhvilluar më tej”, deklaroi Vuçiç.

Sipas tij duhen shtuar lidhjet mes vendeve të rajonit, duke thënë se të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta vlerësojnë diçka të tillë.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha se është e rëndësishme që të punohet për paqen dhe se konfliktet duhen shndërruar në ura zhvillimi. Sipas tij është e domosdoshme të bashkëpunohet për një infrastrukturë me standarde.

Në vijim ai shtoi se Kosova është vend i hapur për gjithë investitorët dhe vendet në rajon dhe se gjithë çështjet e hapura, sidomos me Serbinë duhet të zgjidhen me dialog dhe të vazhdohet më tutje të ndërtohen baza të mëtejshme bashkëpunimi.

Në forum janë të pranishëm edhe Kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviç, ai i Bosnje Hercegovines Zvizdic dhe ai i Maqedonisë Nikolla Gruevski.

Forumi Ekonomik zhvillohet në kuadër të përmbylljes së kryesimit nga Shqipëria të presidencës së SEECP-së./noa.al

Lajme të ngjashme

Back to top button