Cilat duhet të jenë kërkesat e BDI-PDSH?

Bisedimet e katër liderëve të partive më të mëdha në Maqedoni, ende nuk kanë rezultuar me ndonjë marrëveshje, dhe gjithashtu përmbajtja që bisedohet dhe kërkesat e tyre ende nuk janë bërë publike.

Nga BDI thonë se nuk mund të komentojmë mbi përmbajtjen e bisedimeve dhe pozicionimin e partive brenda bisedimeve dhe se kjo është marrëveshje mes liderëve.

Njohësit e çështjeve politike thonë se liderët e partive shqiptare, BDI dhe PDSH duhet të kërkojnë shumë gjëra, dhe të mbajnë përfaqësojnë popullin shqiptarë bazë kërkesave të popullit dhe jo ato personale.

Profesori universitar, Albert Musliu thekson se gjatë bisedimeve për çështje politike duhet të kyçen edhe qytetarët dhe jo të vendosin vetëm partitë politike.

“Bisedimet e liderëve duhet të kalojnë në disa faza  dhe besoj që tani janë në fazën e parë ku po bisedohet për tërheqjen e qeverisë dhe formimin e një qeverie ekspertësh  me mandat të caktuar . besoj që në fazat tjera do të kenë fjalë edhe qytetarët dhe jo vetëm partitë politike. Duhet të bisedohet dhe të kërkohet shumë gjëra ku mes tjerash edhe pavarësimi i institucioneve shtetërore, të cilat për momentin janë skajshëm të politizuara. Partitë politike nuk duhet të vendosin vetë setin e kërkesave, ai duhet të jetë kolektiv”, tha për Portalb, Musliu.

Ai shtoi se duhet të kërkohet përgjegjësi për ndarjen dhe keqpërdorimin e buxhetit si dhe për përgjimet skandaloze.

“Gjithashtu duhet të bisedohet për ndarjen e resurseve, pavarësinë e medieve, duhet të kërkohet përgjegjësi për përgjimet, të cilat nuk kanë prekur vetëm politikan, por edhe qytetarët janë përgjuar, keqpërdorimi i buxhetit për projekte skandaloze siç është ‘Shkupi 2014’ dhe shumë diskriminime tjera në administratë kulturë dhe pothuajse në të gjitha sferat. Gjithashtu BDI duhet të mbajë qëndrimin lidhur me kërkesat që kishte gjatë zgjedhjeve presidenciale, sepse atë ua ka borxh qytetarëve”, shtoi Musliu.

Analisti Xhelal Neziri thotë për Portalb se duhet kërkuar është respektimi i frymës së Marrëveshjes së Ohrit, e cila nënkupton konsensus në sjelljen e vendimeve që janë të rëndësishme për të gjithë qytetarët.

“Ajo që duhet kërkuar është respektimi i frymës së Marrëveshjes së Ohrit, e cila nënkupton konsensus në sjelljen e vendimeve që janë të rëndësishme për të gjithë qytetarët. Ne rastin konkret, nevojitet që buxheti të sillet me shumicë të dyfishtë dhe gjuha shqipe të jetë në përdorim të njëmendtë zyrtar. Këto kërkesa, Ahmeti dhe Thaci, nevojitet t’ia bëjnë vetvetes sepse pozicionimi i tyre inferior dhe fokusimi te interesat e tyre konkrete, personale apo grupore, ka sjelle që sot të kemi një situatë që sërish të bisedohet për çështjet etnike”, tha Neziri.

Ai shtoi se BDI dhe PDSH duhet të kërkojnë nga vetvetja ta ndryshojnë këtë qasje egoiste të përfitimit të ngushtë personal e klanor dhe politikën apo pushtetin ta kuptojnë si një hapësirë dhe mjet të përmbushjes së përcaktimeve të tyre programore.

“Problemi nuk është as te ligjet e as te aktet tjera normative, por te qasja ndaj politikës dhe pushtetit. BDI dhe PDSH duhet të kërkojnë nga vetvetja ta ndryshojnë këtë qasje egoiste të përfitimit të ngushtë personal e klanor dhe politikën apo pushtetin ta kuptojnë si një hapësirë dhe mjet të përmbushjes së përcaktimeve të tyre programore. Me këtë kurs politik që kanë ndjekur që nga 2006 e këndej, mendoj se as Marrëveshja e Dejtonit e as Traktati i Lisbones nuk do të jenë te mjaftueshme për t’i zgjidhur çështjet e shqiptarëve në Maqedoni”, shtoi Neziri./Portalb

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button