Kosova nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Gjermaninë në vlerë prej 29,5 milionë euro

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Gjermanisë, sot kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim zhvillimor, me vlerë prej 29.5 milionë euro, raporton Anadolu Agency (AA).

Nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e realizua nga ministri i Financave i Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ekonomik të Gjermanisë, Gerd Müller.

Ndërkohë, në konferencën për media, ministri i Financave i Kosovës, Avdullah Hoti e ka falënderuar Qeverinë Gjermane për ndihmën e dhënë në këto 16 vitet e pasluftës, mbështetje kjo financiare e cila kap vlerën prej 480 milionë euro. Këto para janë investuar drejtpërdrejtë për projektet zhvillimore në të gjitha fushat në Kosovë.

“Në fakt, orientimi dhe projektet që janë mbështet përmes kësaj ndihme ka qenë në fushat siç është furnizimi me ujë, trajtimi i ujërave të zeza, shërbimet publike dhe plotë projekte të tjera të cilat ne kemi pasur vështirësi t’i financojmë” tha ministri Hoti.

Lidhur me marrëveshjen e nënshkruar sot, për ndihmën financiare prej 29,5 milionë eurove, ministri Hoti tha se ajo do të shfrytëzohet për investime në ngritjen e infrastrukturës teknike dhe kuadrit profesional.

“Marrëveshja që e kemi nënshkruar sot është në vlerë prej 29,5 milion euro. 17 milion euro janë asistencë financiare dhe 12,5 milion euro janë asistencë teknike. E mira e këtyre fondeve është që orientohen në sektorët që kanë efekte multifikuese për ekonominë duke e kombinuar arsimin, tregun e punës, në kadastër, efiçencën e energjisë dhe fushat tjera” tha ministri Hoti duke shtuar se me këtë ndihmë do të arrihet rezultat i dyfishtë, i ngritjes teknike por edhe i ngritjes së kuadrit.

Po ashtu, ministri Hoti tregoi se, me ministrin gjerman Müller kanë biseduar edhe për bashkëpunimin në fushat tjera të ekonomisë.

Nga ana tjetër, ministri për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim i Republikës Federale të Gjermanisë, Gerd Müller, vlerësoi progresin që po arrihet në Kosovë dhe theksoi rëndësinë e avancimit të reformave që i ka planifikuar Qeveria kosovare.

“Gjermania është e përkushtuar për përkrahjen e proceseve zhvillimore në Kosovë, si dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve” tha ministri Muller dhe bëri të ditur se do të lobojë që bizneset gjermane të risin investimet direkte në Kosovë.

Paraprakisht, ishte kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ai i cili e priti ministrin për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Republikës Federale të Gjermanisë, Gerd Müller.

Gjatë këtij takimi, kryeministri Mustafa i ka shprehur ministrit Müller, mirënjohjen e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e madhe që Gjermania ka dhënë dhe po vazhdon të jap për Kosovën, në të gjitha fushat.

Kryeministri i Kosovës, gjatë takimit e ka informuar ministrin Müller për prioritetet e Programit Qeverisës me theksin të veçantë në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, punësimin, mirëqenien, sundimin e ligjit, agjendën integruese evropiane si dhe reformat thelbësore në arsim dhe në shëndetësi.

Lajme të ngjashme

Back to top button