Raportet e administratës me qytetarët e Maqedonisë

Kontakti i qytetarëve me administratën është i ditëpërditshëm dhe i pashmangshëm. Mirëpo, përshtypja negative e qytetarëve për vështirësitë e të pranuarit të shërbimeve nga institucionet e sistemit është gjithnjë e në rritje. Administrata duhet të jetë e hapur dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët dhe komunitetin e biznesit.

Aktivitetet e ditëpërditshme në drejtim të realizimit të lirive dhe të drejtave të qytetarëve e bën të pashmangshëm kontaktin e qytetarëve me administratën. Andaj, gjatë realizimit të rolit të saj shoqëror, organet administratës krijojnë marrëdhënie të shumta me qytetarët dhe subjektet e tjera juridike, ku më pastaj zhvillohen detyrime dhe autorizime të ndryshme. Në bazë të këtyre raporteve që i realizon administrata, ajo në përbërje të saj ka aspektin socio-politik dhe aspektin juridik.

Nëse i referohemi raportit të Avokatit të Popullit për vitin 2014, publikohen të dhëna alarmante të shkeljeve të lirive dhe të drejtave të qytetarëve në Maqedoni, duke filluar nga administrata, policia dhe gjykata. Mirëpo, në këtë lajm të hidhur na gëzon fakti se dukshëm është rritur numri i ankesave të qytetarëve, të cilët i drejtohen Ombudsmanit për të kërkuar ndihmë juridike, çka dëshmon se kemi një rritje të vetëdijës kolektive të shoqërisë!

Defekti i organeve të administratës në Maqedoni në raport me qytetarët dhe komunitetin e biznesit është se ajo gjatë ofrimit të shërbimeve paraqitet nga pozita autoritative, me autoritet të pushtetit, çka duhet të jetë e kundërta, pra administrata të paraqitet pa autoritet të pushtetit, por si shërbim dhe servis publik. Po ashtu edhe sipas raporteve të shumta nga Komisioni Evropian dhe OSBE, administrata e Maqedonisë karakterizohet si e shumtë në numër dhe joprofesionale. Me çka dëshmon se organet e administratës në Maqedoni janë të stërmbushura me administratorë të paaftë dhe partiakë.

Jemi në kohën ku proceset shoqërore zhvillohen në mënyrë të përshpejtuar, sa hap e mbyll sytë, andaj s’ka dyshim se zhvillimi i hovshëm i teknologjisë duhet të shihet si një mundësi e mirë për t’u shfrytëzuar nga administrata, në drejtim të lehtësimit të shërbimeve me qytetarët dhe me komunitetin e biznesit.

Po ashtu, mundësi e mirë, por jo edhe aq e shfrytëzuar, është edhe decentralizimi i shërbimeve, nga pushteti qendror në atë lokal. Pasi që qytetarët kanë qasje më të lehtë në shërbimet lokale se sa në ato qendrore.

Ndoshta nga aspekti profesional më tepër fokusohem në administratën publike të vendit, mirëpo duhet pasur parasysh se Maqedonia për të fituar të drejtën për negociata me BE-në, krahas reformave në administratë, i nevojiten edhe një sërë kriteresh për t’u plotësuar, si: dialogu i qëndrueshëm politik, luftimi i korrupsionit, reformat në gjyqësi, ekonomia dhe zgjidhja e kontestit të emrit.

Andaj, për në fund lirshëm mund të themi se shfrytëzimi i zhvillimit teknologjik, decentralizimi i shërbimeve dhe orientimi i administratës drejt qytetarit, do të sigurojë që raporti me të gjitha palët e përfshira në procedurë administrative  të jetë i lirshëm, ku qytetarët do t’i zbatojnë të drejtat dhe interesat e tyre ligjore në mënyrë sa më të thjeshtë dhe efektive.

Lajme të ngjashme

Back to top button