VIZIONE (Ç)INTEGRUESE

Në Maqedoni ka botëshikime të ndryshme për të ardhmen e vendit. Vizionit integrues i kundërvihen faktorët çintegrues. Vizionit për bashkëpunim i kundërvihen projektuesit e ndarjeve. Vizionit për “tërësinë” që ndërthur të “veçantat” e ndryshme i kundërvihen ata që synojnë “të veçantat” t’i kontrollojnë në emër të “tërësisë” uniforme.

Për sa kohë  dominon koncepti për shtetin si ekskluzivitet i maqedonasve dhe me shqiptarë që u lejohet të veprojnë brenda skemave të paracaktuara prej tyre, ndarjet me vijat e rrepta etnike bëhen edhe më të theksuara. Nëse do të vazhdojë mbizotërimi i kësaj logjike, do të kemi vetëm monolog dhe dialog të improvizuar. Do të bëhen improvizime me shqiptarë sipas origjinës që mendojnë maqedonisht, të cilët imponohen si vlera superiore shqiptare. Me improvizime të këtilla do të synohet të bëhet mashtrimi i radhës, për efekte çasti, se ja e “veçanta” po ndërthuret brenda “tërësisë”.

Kjo skemë nuk mund të funksionojë, sepse është e lexuar. Mund të përdoret për efekte të përkohshme, por vetëm duke i shtresuar problemet, që mund të zgjidhen vetëm nëpërmjet rivlerësimit të raporteve ndërmjet shqiptarëve e maqedonasve, pa improvizime, pa imponime, pa skema të paracaktuara. Ky rivlerësim do të ishte në dobi të paqes së përhershme në Maqedoni.

Problemet do të mbeten, të përhershme, të shtresuara, të rrezikshme, për sa kohë edhe elitat politike shqiptare do të vazhdojnë të kënaqen me kocka prej pushteti.

Prej pavarësimit të Maqedonisë problemet nuk janë zgjidhur, por janë shtresuar, sepse u ka konvenuar elitave politike, bashkëpunuese në pazare “ndëretnike” dhe kinse të ngujuara nëpër istikame etnike. Në këto pazare kanë dalë të qethur qytetarët shqiptarë, sepse nuk kanë qenë të përfaqësuar realisht, por është improvizuar përfaqësimi i tyre. Janë bërë marrëveshje, janë miratuar ligje në letër, por pa zbatim praktik. Thjesht, për të fshehur pluhurin. Deri më sot askush nuk ka dashur ta shërojë pacientin e sëmurë. Vetëm e kanë mbajtur nën narkozë, që të mos i ndjente dhimbjet.

Pa një remont të këtij mekanizmi, pa raporte normale ndërmjet dy kombeve, çdo zgjidhje do të jetë e përkohshme. Problemet e shtresuara kurdoherë do të dalin në sipërfaqe.

Maqedonia, pas pavarësimit, ka pasur raste të shumta për bashkërendim të interesave shqiptare dhe maqedonase, që do të ishte në dobi të të gjithëve, por kanë munguar politikanët e përgjegjshëm, vizionarë dhe të guximshëm.

Maqedonasve secili shtet fqinj u ka mohuar diçka: dikush gjuhën, kombin e historinë; dikush kishën; dikush emrin. Shqiptarët nuk u kanë mohuar asgjë. Ky fakt ka mundur të shërbente për të mirën e përbashkët. Përkundrazi: elitat politike dhe intelektuale maqedonase, në vend të mirënjohjes, e kanë kompensuar pafuqinë ndaj të tjerëve me arrogancë të pakuptimtë kundër qytetarëve shqiptarë. Kanë projektuar imazhe të deformuara për shqiptarin si “rrezik potencial”. Këtë e kanë bërë nëpërmjet institucioneve shtetërore, diplomacisë, mediave, librave shkollorë apo universitarë…

Do të ishte hipokrizi nëse i shfajësojmë elitat politike e intelektuale shqiptare, si pjesë e kësaj skeme. Ato nuk arritën ta shërojnë anarkinë shoqërore. I ndihmuan asaj. Nuk e ndryshuan gjendjen, sepse nuk provuan as ta njohin. Nuk arritën ta organizojnë kaosin. E  krijuan atë, bashkë me lodhjen morale. Prandaj erdhëm në gjendjen ku mbizotëron ndjenja e humbjes, fatalitetit, dëshpërimit. Erdhëm në gjendjen kur kemi frikë nga dija. E sollëm këtë gjendje me indiferencën dhe heshtjen tonë; me mungesën e ndjenjës për jetë të përbashkët.

A mund të bëhet ndryshe nga çfarë është tani? Në teori është e mundur. Ekzistojnë modele funksionale dhe të dëshmuara. Praktikisht vështirë të japësh përgjigje pohuese. Zgjidhja nuk arrihet me improvizues të mëdhenj. Për këtë duhen elita politike, aspak inferiore, të përgjegjshme, të guximshme por edhe mbikëqyrje e rreptë ndërkombëtare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button