Dëshmitë për Kumanovën dhe sulmin në Burgun e Sigurisë së Lartë

Beg Rizaj e Mirsad Ndrecaj, si drejtues të një grupi prej 44 personash, kishin planifikuar të sulmonin Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdofc të Podujevës, shkruan sot Koha Ditore.

Plani ishte të liroheshin dy prej njerëzve që konsiderohen ndër më të rrezikshmit në Kosovë. Të burgosurit – B.K. e B.B. – janë duke vuajtur dënime të rënda për krime, përfshirë dhe vrasje. Kështu thuhet në dokumente të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës dhe të Policisë së Kosovës, të siguruara nga gazeta.

Detajet e këtij komploti të cilësuar si “sulm kundër rendit juridik dhe kushtetues të Kosovës” dhe “mundësim i arratisjes së personave të dënuar” janë zbuluar gjatë vëzhgimit dhe përgjimit që u kishin bërë Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Policia e Kosovës, për shkak të dyshimeve se takoheshin me të dyshuar për lidhje me islamikë radikalë. Hetimet kishin nisur në vitin 2013.
E, gjatë kësaj kohe është zbuluar se po planifikoheshin incidente të armatosura në Maqedoni. Plani nuk ishte që të shkaktonin viktima, por incidente të ngjashme me atë në Gushincë të Kumanovës.

Agjencia Kosovare e Inteligjencës dhe Policia kanë siguruar dëshmi se katër persona nga grupi i Kumanovës – tre kosovarë dhe një shtetas i Maqedonisë – kishin bashkëpunim me Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim të Maqedonisë (Direkcija za Bezbednost i Kontrarazuznavanje – DBK)./Koha Ditore/

Lajme të ngjashme

Back to top button