E NJOH NJË NJERI, I NJOH DY, TRE, I NJOH SHUMË SISH…

E di një masë me dy shtresa të përbërë nga mediokritetet dhe të padijshmit e cila e bën të pakalueshëm shtegun drejt lirisë. Vetmitarëve të pakët të cilët i duan thellësitë, abstraktësitë dhe metafizikën nuk u lejohet fare të afrohen te ky shteg. Këta vëllezër të Erebit luftojnë me të gjitha mjetet në garat zgjedhore ku lavdërohet e ku lartësohet sipërfaqësia, cektësia e përhimtësia e ku zgjidhen piratët e gënjeshtarët që t’u hipin kuajve të bardhë. Pastaj ata kalërojnë nëpër shpinën e popullit. Shko e pyete pastaj kurrizin e popullit të gjorë që i është dorëzuar pikëllimit, pyete si e ka hallin.

*     *     *

E njoh një njeri, i njoh dy, tre e më shumë, që janë lindur nga rastësia dhe të cilët rastësia i ka ulur në kolltukun dhe u ka vendosur flamurin në tryezën prej mahagoni. I gjori flamur valon dhembshëm nëpër këto vite të vështira në atë tavolinë. Pastaj ai i rastësisë del në pazarin e përbaltur, me flamur në dorë. Shpërthen gëzimi në sytë e tij për shkak të pluhurit e të baltës dhe për shkak të këpucëve të tij të shtrenjta. Errësira i ngazëllen njerëzit nga turma, kur kalon ky. Njëri nga turma nis dhe i shkon prapa. I shkojnë dy, tre dhe i shkojnë qindra, mijëra, mijëra. Në fund, gjatë viteve mblidhen aq shumë njerëz sa rastësia nuk mund ta mbajë gjithë atë barrë turmash e atë barrë pikëllimi. Nuk i mban dot as dheu. Kështu në dhé dhe  në rastësi hapet një humnerë. Rastësia e kapërcen të rastësishmin mbi humnerë e përmbi ngjarjet e vështira dhe sërish e hipën mbi kalë të bardhë. Përsëri i rastësishmi del në ballë. Përsëri njerëzit nisin ta ndjekin. Përsëri del humnera para tyre, po njerëzit thonë do ta ndjekim deri në had. Përsëri njerëzit bien në greminë.

Fjalët e Naimit e të Fishtës për madhështinë e Lirisë si duket janë shumë  të vështira. Turmat e zgjedhin shtegun më të shkurtër, më të lehtë, rastësinë dhe sipërfaqësinë: ihaaa! Ihaaa!

*     *     *

E di një, i di dy, tre, di shumë sish që në gjuhë të huaj na i shajnë nënat, na i shajnë motrat, që na thërrasin me emra gjithfarësh, fyes, që na kanosen se mund të na shlyejnë nga faqja e dheut sikur të ishim miza, që na thonë se kemi zbritur nga mali. Por di, po ashtu, shumë nga njerëzit tanë që kanë njëfarë kolltuku përfund vetes e që mendojnë se amshueshëm do t’u shkojë kungulli mbi ujë. Këta  nuk e kanë dëgjuar klithmën nga vargjet e Pindarit:

Mos e gjako, o, shpirti im,  jetën e amshueshme,

Po shfrytëzoje fushën e të mundshmes

Nuk e dëgjojnë këtë thirrje, duan të jenë të amshueshëm, pa u lodhur fare. Këtyre nuk u shkon mendja se shpejt do të harrohen ashtu siç janë harruar çastet kur këta qejfli të përjetësisë së fituar lehtë e kërkonin përvajshëm fjalën tonë, besimin tonë, që me këtë fjalë e me këtë besim të na e mbrojnë fytyrën. E morën fjalën tonë, e morën besimin tonë dhe i shndërruan në begati materiale me të cilën na e nxinë fytyrën e nuk na e mbrojtën. Kurrfarë mburoje nuk u bënë kundër zullumeve tinëzare.

Kurse ne prej këtyre njerëzve tanë s’kemi lypur asgjë më shumë se sa të na e mbrojnë dinjitetin e krenarinë para hohshtaplerëve. Nuk e bënë dhe nuk duan ta bëjnë. E duanë paranë e Hasan Zyko Kamberit dhe përjetësinë. Vetëm kaq.

*     *     *

E di një, i di dy, tre e shumë sish të cilët heshtin kur zbrazen gënjeshtrat në llogaritë tona, kur na dëmtojnë, kur na shpallin si fëlliqna, por edhe më zi: popull të paemër. Ata heshtakë nuk ndjejnë përgjegjësi pse heshtin kur këtu na trajtojnë si asgjë, si të paqenë anë se jemi gjithkund. Heshtakët  jo vetëm që e vërtetojnë atë vargun e mrekullueshëm të Pol Valerisë:

Populli i paemër midis rrënjëve të drurëve…

kur flet për varrezat, por, duke heshtur, bëhen krah i gjykatësve të tmerrshëm, krah i inkuizitoreve të ditëve të sotme. Heshtakët me gojën e tyre që i kanë vënë dry i dënojnë fëmijët në djep.

O zot, pse nuk ka piktorë të cilët do ta përjetësonin këtë realitet të zymtë, këtë tregim të pikëllueshëm, i cili ka rrënjë të drurit qindvjeçar të diktaturës.

*     *     *

E di një njeri, i di dy, tre, e shumë sish të cilët i vizitojnë tempujt ta mashtrojnë perëndinë për të palarat e tyre që i kanë bërë e që i bëjnë. Mendojnë se u mjafton miratimi i klerikut të thjeshtë, lëvdata që u bën ai pse shkojnë e lidhen pas imamit ose pse bëjnë kryq në lutjet fetare  që ta marrin të drejtën e zotit të shkretojnë nëpër xhepat e zbrazët të rajës së rrënuar. Mendojnë se kanë të drejtë të fshihen prapa emrit të perëndisë kur bëjnë punë  të papuna. Mendojnë se u falet këmbëngulja e vendosmëria për të bërë rezillëqe në emër të popullit duke nxjerrë gjuhën shqipe nga tempulli i fesë dhe duke e lënë jashtë institucioneve.

Asgjë nuk duket më e shëmtuar se ky veprim

*     *     *

E di një mjekërcjap i cili është përbiruar hajnisht në politikë duke kaluar nëpër shatorre të zeza dhe nëpër derën e hajnisë dhe atje na shet kopalla e derdh urrejtje kundër nesh. E keni parë se si përmes një zëri të qetë, por të neveritshëm, të klerikut, shpërndan gënjeshtra dhe shpifje kundër nesh, e ka fytyrë të shkojë nëpër shtëpitë e njerëzve tanë axhaminj e të shesë mend atje. Kur kthehet në qyshkun e tij të rehatisë e keqpërdor mikpritjen e njerëzve tanë me fjalë rruge duke dërdëlisur nëpër rrjetat sociale edhe për politikanet tona që ia hapin dyert dhe e respektojnë shtëpinë dhe veten, ashtu si na mëson tradita që nga kohë e para erës së re,  ku  thuhet se shtëpia është e Zotit dhe e mysafirit, duke e konsideruar edhe mjekërsqapin si mysafir. Po s’e di mjekërsqapi shenjtërinë e mikpritjes shqiptare ose ia merr mendja se mundet të shkelë mbi të me opingat e tij. Nga  një  vend publik mikpritësit trim mjekërsqapi ia tregon krahët e tij të thatë duke i shitur për muskuj. Kërcënohet i gjori mjekërsqap, i gjori Bali Katravella që është rritur me bukë shqiptari dhe që mohon si Shën Pjetri e shitet si një Luan i Nemejës, duke harruar se është para Herakliut.

E njihni, është një sqap mjekërverdhë

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button