Rusia nis një tjetër stërvitje masive ushtarake

Trupat ushtarake ruse kanë nisur një stërvitje masive që përfshin rreth 250 mjete ajrore dhe 12 mijë ushtarë.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes, e cila e përshkroi stërvitjen 4-ditore si një “inspektim të papritur” për të kontrolluar gatishmërinë luftarake.

Testet filluan në të njëjtën ditë kur NATO dhe disa vende partnere nisën një stërvitje në Arktik. Veprimet e Rusisë në Ukrainë dhe depërtimi i avionëve rusë në hapësirën ajrore perëndimore kanë çuar në një rritje të tensioneve mes Lindjes dhe Perëndimit.

Sipas agjencive ruse “Interfax” dhe “Tass”, inspektimi i grupit të aviacionit dhe forcave ajrore në rajonin qendror ushtarak përfshin rreth 700 armatime dhe pjesë përbërëse mjetesh luftarake.

Gjatë stërvitjes, mjetet ajrore të pajisura me raketa me rreze të gjatë veprimi do të kryejnë qitje me raketa “Cruise” ndaj objektivave të rremë në republikën e Komit.

Korrespondentja e BBC në Moskë, Caroline Wyatt deklaron se stërvitjet aktuale janë një parapërgatitje për një tjetër edhe më të madhe, që njihet si “Qendra-2015” e që do të mbahet në muajt e ardhshëm.

I pyetur në një intervistë televizive për qëndrimin e rreptë të Moskës, zv.kryeministri rus Dmitry Rogozin bëri një shaka kur tha se, “tanket nuk kanë nevojë për viza”.

Ndoshta Rogozin i është referuar faktit se personalisht ndodhet në listën e zezë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, si pjesë e sanksioneve të aplikuara ndaj Rusisë për aneksimin e Krimesë vitin e kaluar, të cilat kanë kufizuar lirinë e tij të lëvizjes./ TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button