Pyetjet pa baba, kurse analistët poetë dhe romancierë

Pyetje të cilave u mungojnë përgjigjet. Pyetje të cilat patjetër duhet t’i martojmë me përgjigje të sakta për të pasur kështu në dorë foshnjën që nesër do të na rrëfejë të vërtetën e ngjarjes në Kumanovë.

Gjendja e keqe në Maqedoni mund të ndërrohej me luftë apo me shporrje prej pushtetit ata që e sollën uraganin mbytës?

Kush e ftoi grupin e armatosur në rajonin e Likovës dhe të Kumanovës?

Cila ishte arsyeja e ftesës?

Pse vetë popullata e kësaj ane nuk u ngritë për të luftuar kundër këtij pushteti të poshtër?

A kishte thirrje të hapur për mobilizim gjithëpopullor?

Cili ishte plani i tyre i veprimit? Të sulmonin pika të ndjeshme të shtetit apo vetëm të dukeshin andejpari sa për t’i treguar keqbërësve se shqiptarët e kësaj ane nuk janë jetim?

Me cilët politikanë paraprakisht qenë takuar dhe çfarë kishin biseduar? Për sulimin e së shtunës a ishte i njoftuar zëvendësministri i MPB-së që thuhet se është shqiptar?

Pse u dorëzuan ata që kishin mbijetuar dhe ngadhënjyer shumë beteja të armatosura më të vështira se beteja e Kumanovës?

A janë vërtet të tradhtuar? Nëse po, atëherë kush i tradhtoi dhe si?

Pse përgjatë dorëzimit të tyre qenë avulluar trupat e OSBE-s? Apo nëse ishin aty, cili ishte ndikimi i tyre që të dorëzuarit të mos trajtoheshin çnjerëzisht?

Pse gazetarët nuk lejoheshin të futeshin të vendngjarje?

Pse zyrtarët e shtetit aq shpesh i ndërronin numrat e të vrarëve dhe të dorëzuarëve?

Pse nuk i strehuan nëpër hotele ata që i kishin humbur shtëpitë e tyre prej papjekurisë apo inatit shtetëror?

Për aq kohë sa nuk arrijnë t’i përgjigjen këtyre pyetjeve njerëzit apo organet përgjegjëse, rasti i Kumanovës më shumë do të shihet prej syrit të emocionit sesa prej syrit të arsyes. Pyetjeve lehtë do t’i gjenden përgjigjet, mirëpo nuk dihet se interesi i kujt është zvarritja apo fshehja e përgjigjeve!

Lajme të ngjashme

Back to top button