Veliçkovski: LSDM nuk guxon të pranojë Qeveri kalimtare me Gruevskin në krye!

Ju përcjellim një pjesë të intervistës së Ivon Veliçkovskit, kryetari i Partisë Liberale, të realizuar nga portali Faktor:

Faktor: Protestat e fundit në Maqedoni, sidomos ato nga opozita,tregojnë se vendi nuk është deri në atë shkallë i ndarë sipas kritereve etnike. Mund mesazhi që së bashku e dërguan maqedonasit, shqiptarët, sërbët, turqit, romët, të interpretohet si fillim i zgjimit të ndërgjegjes civile?

Veliçkovski: Kjo krizë (më në fund) nuk është ndëretnike, edhe pse disa janë përpjekur ta bëjnë të tillë. Përkundrazi, sot ajo kulminoi për shkak të keqpërdorimit njëdekadësh të institucioneve dhe shkeljes së të drejtave themelore, e jo të të drejtave të njeriut. Kjo do të thotë se duhet një zgjidhje e cila do ta përcaktojë dhe ta forcojë kapacitetin institucional në shtet dhe instinktin institucional të qytetarëve, sidomos të maqedonasve, si një investim në ndërtimin e vërtetë të kombit politik maqedonas. Nëpërmjet doktrinës sonë “Kthesa 2018”, dy vjet më parë paralajmëruam përcaktimin e kombit politik maqedonas të konsoliduar dhe të suksesshëm. Ata të cilët atëherë na përjetonin si utopistë, tash i pres në përkrahje të kësaj qasjeje, sepse koncepti i kombit politik në kuptimin modern të fjalës nga shekulli XXI vetëm do ta përforcojë karakterin qytetar të shoqërisë dhe shtetit. Nëse përsëri dikush mundohet ta abuzojë këtë momentum pozitiv, ai do ta shkatërrojë shtetin në mënyrë të pakthyeshme. Ose më specifikisht, shprehja “vëllazëri-unitet” duhet ta zëvendësojë realitetin e “liri, barazi, drejtësi”, por jo vetëm një herë dhe për nevojat e një mitingu ose një qeverie, tha në intervistën për faktor.mk lideri i liberalëve maqedonas, Ivon Veliçkovski.

I pyetur se a mund dalja nga kriza politike të kërkohet duke formuar qeveri të koncentruar me Nikolla Gruevskin në krye, dhe ku opozita do të marrë tre-katër vende kyçe në ministrore, Veliçkovski tha

Veliçkovski: Jo, një vendim i tillë mund t’ia zgjasë atij jetën politike, por gjithsesi se kjo do të hapë krizë të re më të thellë, që do të na dëmtojë edhe më keq si shtet dhe shoqëri. Çdokush nga opozita që do të kishte hyrë në marrëveshje sekrete me Gruevskin kështu do t’i anulonte tri gjëra: ardhmërinë e vet politike, energjinë dhe iniciativën politike të opozitës, dhe ndihmën e miqve të huaj për trajnim të përpiktë të institucioneve dhe elitave politike maqedonase për qeverisje përgjegjëse. Askush nuk ka të drejtë ta pengojë mundësinë për resetimin e sistemit duke e mbajtur Gruevskin në krye të Qeverisë.

Kërkohet Qeveri koncentrative ku dihet se kush ç’ka dhe pse punon. Për atë shkak, Qeveria koncentrative në të cilën do kishte marrë pjesë Partia Liberale është Qeveri me kohëzgjatje të përcaktuar nga proceset që duhet ti zbatojë. Gjithashtu, mendimi se ajo duhet të zgjasë gjashtë deri në nëntë muaj është tepër optimistike, por kërkesa që të zgjasë më pak se tre muaj janë dëshira që pushteti të mos arrijë asgjë dhe që të përsëriten zgjedhjet si deri tani, por dikush tjetër ta mban përgjegjësinë. Ndërkohë, Qeveria e koncentruar nuk guxon ta vendosë LSDM-në në pushtet pa zgjedhje dhe, duke i dëgjuar qëndrimet e liderit të LSDM-së, Zaev, në këtë premisë nuk dallohemi. Domethënë, PL nuk flet për makiazh kadrovik, por për Qeveri politike me përkrahjen e partive që janë involvuar ose ofrojnë zgjidhje për tejkalimin e krizës, bazuar në një marrëveshje politike. Një qeveri e këtillë është e nevojshme për ta dekompozuar “gruevizmin” si “mantrë” të funksionimit të (deri)tashëm politik dhe institucional dhe për ta eliminuar klientelizmin partiak – të zbatojë regjistrimin, si bazë për një listë esencialisht të pastruar zgjedhore dhe ta ndryshojë modelin zgjedhor – me një njësi zgjedhore dhe lista të hapura. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button