Hulumtim: Zonat e lira ekonomike – të fshehura në mister

Duke u përpjekur për të tërhequr sa më shumë investime të huaja, Qeveria jo vetëm që u ofron atyre lirime doganore dhe tatimore, por u ofron edhe ndihmë të drejtpërdrejtë shtetërore duke subvencionuar harxhimet për pagat e punonjësve. Por, asnjë institucion nuk zbulon saktësisht se sa njerëz janë të punësuar në fabrikat që janë pjesë e zonave të lira ekonomike dhe sa është shuma e lehtësirave të cilat pronarët e huaj të fabrikave i kanë marrë nga shteti konkretisht për punësimet?

Të dhënat janë duke u mbajtur sekret, e pikërisht një nga prizmat nëpër të cilat mund të shihen efektet e ndihmës shtetërore që kompanitë e huaja e marrin në zonat e lira ekonomike është numri i vendeve të hapura të punës, pastaj cilësia e vendeve të punës (niveli i pagave, orari i punës, siguria në vendin e punës, etj.), si dhe sa këto investime të huaja kanë kontribuar për krijimin e vendeve indirekte të punës në nivel lokal krahas vendeve të punës të krijuara në mënyrë të drejtpërdrejt.

Pothuajse asnjë institucion apo organizatë e cila monitoron efektet e investimeve të huaja në vend nuk ka numrin e saktë të të punësuarve të cilët në mënyra të ndryshme janë të angazhuar në katër zonat e lira ekonomike në vend.

Të dhënat i kemi kërkuar nga Drejtoria për Zonat Zhvillimore Industriale-Teknologjike. Por, nuk kemi marrë asnjë përgjigje prej atje. Numrin e të punësuarve në zonat e lira ekonomike, si dhe shumën e lirimeve të marra për punësimet, nuk e dinë as në Këshillin e Investitorëve të Huaj.

Një përgjigje për të njëjtën temë nuk kanë marrë as analistët nga Qendra Maqedonase për Arsim Evropian (QMAE), të cilët kanë hulumtuar efektet e zonave të lira ekonomike në vend ndaj ekonomisë së përgjithshme.

“Për analizën në të cilën kemi punuar, kemi kërkuar një informacion me karakter publik në Agjencinë për Investime të Huaja, të cilët na kanë dërguar në Drejtorinë për Zhvillimin Teknologjik Industrial, që përsëri të na dërgojnë në Agjencinë për Investime të Huaja, ku nuk kemi marrë përgjigje për numrin e të punësuarve në zonat. Vetëm nga ajo që është thënë në mediat, ne mund të supozojmë se numri i tyre lëvizet rreth 10.000 deri në 12.000 maksimum”, thotë Diana Bliznakova nga QMAE. Sipas Bliznakovës, fabrikat në zonat e lira ekonomike në Maqedoni funksionojnë si ishuj të izoluar ekonomikë në të cilët punon një fuqi e lirë dhe e kualifikuar pune.

“Personat e intervistuar nuk e dinë për veprimin e çfarëdolloj sindikate, kurse është paralajmëruar se para lidhjes së kontratës së parë së punësimit, punëdhënësi kërkon nga punëtori të nënshkruajë një deklaratë se heq dorë nga anëtarësimi apo nga iniciativa për formimin e sindikatës. Nuk ka asnjë informacion për ekzistencën e ndonjë marrëveshjeje kolektive mes punëtorëve dhe punëdhënësit”, thuhet në raportin e QMAE-së për funksionimin e fabrikave në zonat e lira ekonomike.

Për dallim nga Maqedonia, të dhënat për numrin e të punësuarve në zonat e lira ekonomike, nuk janë sekret në Kroaci. Përkatësisht, atje në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Ekonomisë , mund të gjenden të dhënat për numrin e të punësuarve, veç e veç për çdo zonë.

Emri i zonës së lire ekonomike Qyteti Sipërfaqja e tokës (m2 ) Parcelat e lira m2 Numri i shfrytëzuesit të zonës Numri i të punësuarve
KRAPINSKO – ZAGORSKA SLOBODNA ZONA Krapina 70.000 30.000 14 123
SLOBODNA ZONA OSIJEK Osijek 270.000 80.000 4 630
SLOBODNA ZONA KUKULJANOVO Kukuljanovo 28.000 1.000.000 5 73
SLOBODNA ZONA LUKE RIJEKA Rijeka 1.635.000 570.870 9 1.332
SLOBODNA ZONA ZAGREB Zagreb 79.860 0 125 225
SLOBODNA ZONA OBROVAC* Obrovac
SLOBODNA ZONA LUKE SPLIT Split 259.900 100.000 23 45
SLOBODNA ZONA LUKE PULA Pula 73.000 0 19 588
SLOBODNA ZONA SPLITSKO –  DALMATINSKA Split
SLOBODNA ZONA LUKE PLOČE Ploče 2.145.892 1.548.700 3 1.064
SLOBODNA ZONA BUJE* Buje
SLOBODNA ZONA ĐURO ĐAKOVIĆ-SL. SLAVONSKI BROD SlavonskiBrod 262.493 63.100 27 1.114
SLOBODNA ZONA VARAŽDIN Varaždin 600.000 0 1 200
PODUNAVSKA SLOBODNA ZONA VUKOVAR Vukovar 21.080 13.432 20 123
SLOBODNA ZONA RIBNIK Ribnik 32.000 10.000 7 17

 

Pasqyra e detajuar të cilën e ka Kroacia, për fat të keq, nuk mund të shihet te fqinji ynë verior, Serbia, si dhe në Maqedoni. Në faqen e internetit të Drejtorisë së Zonave të Lira në Serbi janë shkruar zonat dhe kompanitë që punojnë në secilën prej zonave dhe me se merren ato. Edhe në faqen tonë të internetit të Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Industriale-Teknologjike janë të shkruara vetëm zonat dhe gjithsej gjashtë investitorët, në mesin e të cilëve janë: “Johnson Controls”; “Van Hool”; “Johnson Meti”; “Teknohoze”; “Kemet” dhe “Protek Group”. Në dy nga gjithsej katër zonat ekonomike: ZZHIT Shkupi 2 dhe ZZHTI Tetova nuk ka asnjë informacion kontakti për zonën, kurse në të gjitha katër zona për kontakt është lënë emri i drejtorit të zonave, Viktor Mizo. Një numër të saktë për punësimet nuk ka, përveç paralajmërimeve për atë se sa persona do të punësohen.

Numri i të punësuarve në zonat mund të merret vetëm nga deklarata zyrtare e kryeministrit Nikolla Gruevski, i cili para një kohe theksoi se atje punojnë më shumë se 10 mijë njerëz dhe se me punësimin e tyre ka rënë shkalla e papunësisë.

“Në periudhën nga viti 2006 e deri më tani, shkalla e papunësisë të cilën e kemi gjetur në lartësi prej rreth 38% është ulur në 27.6%. Në të njëjtën periudhë janë hapur mbi 130.000 vende pune në Maqedoni, në kapacitete të huaja dhe vendase, në sektorin privat dhe publik, si dhe përmes masave aktive të punësimit. Në një kohë shumë të vështirë të krizave ekonomike globale dhe evropiane. Pra, pritet që në investimet e huaja të cilat tashmë janë të paralajmëruara, por ende nuk janë të hapura, të hapen mbi 13.000 vende të drejtpërdrejta pune, kurse me planin operativ për masat aktive të punësimit për vitin 2015 parashihet një mbështetje për hapjen e 8.500 vendeve të punës”, tha para një kohë kryeministri Nikolla Gruevski.

Nga Këshilli i Investitorëve të Huaj nuk e dinë nëse ka dhe sa sindikata ka veç e veç në çdo kompani që është pjesë e zonave të lira ekonomike, por ata thonë se është e drejta e punëtorëve në bazë të ligjit të jenë anëtarë të sindikatave.

“Investitorët e huaj në vitet e kaluara vazhdimisht lavdërohen nga ana e bartësve të politikave ekonomike dhe ata prezantohen si të jenë “pehari i shenjtë” për ekonominë, edhe pse në literaturën shkencore ka qëndrime të përziera për efektet e tyre pozitive në vendet në tranzicion. Për më tepër, për t’u tërhequr investitorët e huaj, përdoren lloje të ndryshme të privilegjeve, nga lirime tatimore, e deri te mbështetja e drejtpërdrejtë financiare për kompanitë e mëdha të huaja, me çka vihen investitorët e huaj në një pozitë më të favorshme se investitorët vendas. Ndërsa, një pjesë e ekonomistëve botërorë e shohin këtë proces si një zëvendësim i privatizimit të turbullt nga fillimi i tranzicionit me një mënyrë të re të shitjes së kapaciteteve prodhuese në ekonomi për të huajt, të cilët marrin një pjesëmarrje të rëndësishme, kurse në disa sektorë edhe pjesëmarrje dominuese në treg, thotë profesori universitar Dragan Tevdovski.

 

Pushteti lavdërohet se eksportet nga zonat rriten, ekonomistët pohojnë se kjo nuk ndikon ndaj buxhetit

Pushteti u lavdërua se eksportet nga zonat vazhdimisht janë në rritje, e ky trend pritet të vazhdojë dhe ta kalojë rekordin e vitit të kaluar, kur eksportet nga zonat arritën në 1 miliard e 170 milionë euro, që është për 52% më shumë sesa në vitin 2013. Ndërsa, sipas vlerësimeve të qeverisë, në një periudhë afatmesme, duhet të pritet që eksportet të jenë rreth 2 miliardë eurosh, kështu që është vënë në dukje se eksportet nga ZZHIT-i marrin pjesë në eksportet e përgjithshme të Maqedonisë me 31%.

“Në krahasim me vitin e kaluar, kemi një rritje të eksporteve prej rreth 28%. Kjo është edhe pak mbi ato parashikime që kemi pasur vitin e kaluar për këtë vit. Të gjitha kompanitë që janë tashmë funksionale, punojnë në mënyrë aktive. Është rritur numri i porositjeve që i kanë ato nga partnerët e tyre në Evropë dhe normalisht, me fillimin e kompanive të tjera me punë në zonat shpresojmë se ai numër do të rritet nga viti në vit. Ndoshta nuk mund të pritet që çdo vit të kemi një rritje prej 20 apo 30% të eksporteve, por madje edhe një rritje prej 10% është një kontribut i madh jo vetëm në shkëmbimin e përgjithshëm tregtar të Maqedonisë, por edhe në mbulimin e importeve me eksportet, sepse në qoftë se bëhet një analizë e atyre numrave në tre – katër vitet e fundit, rritet mbulimi, por rritet edhe bashkëpunimi me kompanitë vendase”, deklaroi për mediat Viktor Mizo, drejtor i DZZHIT-it.

Por, rritja e eksporteve nga zonat e lira ekonomike nuk ka implikime të drejtpërdrejta në buxhet për shkak se kompanitë kanë lirime të plota doganore dhe tatimore. Kështu që, kjo është vetëm një shifër statistikore, konsiderojnë një pjesë e analistëve.

“Duke pasur parasysh se për një pjesë të kompanive apo për të gjitha kompanitë vlen kanali i gjelbër doganor, kjo do të thotë se Buxheti i Maqedonisë nuk rritet proporcionalisht me eksportet e kompanive të huaja. Kjo vetëm do të thotë se kompanitë janë duke punuar më shumë”, thotë Diana Bliznakova nga QMAE.

Në Maqedoni, kompanitë në zonat e lira ekonomike punojnë me një normë doganore dhe TVSH prej 0%, si dhe me një tatim të fitimeve dhe një tatim personal të të ardhurave prej 0%  për 10 vjet. Sipas asaj që mund të shihet nga të dhënat e disponueshme zyrtare, në Serbi ka pothuajse beneficione të ngjashme për kompanitë në zonat e atjeshme, por janë për më pak vite, ndërsa në vendet e tjera të rajonit ofrohen pako më të vogla të volitshmërive që ofrohen për kompanitë e huaja, përkatësisht në disa prej vendeve volitshmëritë që ofrohen varen madje edhe nga ajo se në cilën pjesë të vendit ndodhet zona.

 

Përparësitë dhe simulimet në zonat e lira ekonomike në Maqedoni

DOGANA
MALLRAT SHKALLA JASHTË ZONAVE SHKALLA BRENDA ZONAVE
Lëndët e para 0% – 15% 0%
Pajisjet 5% – 20% 0%

 

 

TATIMET
MALLRAT SHKALLA JASHTË ZONAVE SHKALLA BRENDA ZONAVE
Tatimi i vlerës së shtuar 18% 0%
Tatimi i fitimit 10% 0% për 10 vjet
Tatimi personal i të ardhurave 10% 0% për 10 vjet

 

Pikërisht për shkak të të gjitha këtyre lehtësirave, një pjesë e ekonomistëve konsiderojnë se investimet e huaja të drejtpërdrejta dhe efektet e tyre duhet të analizohen duke iu përgjigjur disa pyetjeve, e ato janë: si rriten, jo vetëm eksportet, por edhe importet të destinuara pikërisht për fabrikat në zonat e lira ekonomike, pastaj pse bilanci i pagesave të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë tregon një rrjedhje të të ardhurave, duke përfshirë edhe përfitimet dhe dividendat e kompanive të huaja dhe sa para vendi ka investuar deri më tani për t’i tërhequr investitorët e huaj.

Përsëri për një pjesë të këtyre pyetjeve i jemi drejtuar Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Industriale-Teknologjike, por përgjigjet nuk i kemi marrë.

U drejtuam edhe në Entin Shtetëror të Statistikave për të marrë informacion se sa janë importet dhe eksportet që janë bërë në zonat e lira ekonomike, por nga atje morëm përgjigje se ata nuk kanë statistika të tilla dhe të dhënat t’i kërkojmë nga Drejtoria për Zonat Zhvillimore Industriale-Teknologjike.

Sipas profesorit universitar Marjan Petreski, në tërheqjen e fabrikave të huaja në zonat e lira ekonomike një theks të veçantë u vihet kompanive me teknologji më të lartë, që në një afat të shkurtër mundëson një lidhje të tyre më të konsiderueshme me ekonominë lokale, përkatësisht që një pjesë e inputeve të tyre të furnizohen në tregun lokal nga kompanitë vendase.

“Prej këtu, është e vërtetë se këto kompani i kanë rritur eksportet në mënyrë të konsiderueshme, por njëkohësisht një pjesë e madhe e këtyre eksporteve është me një komponent importi. Prandaj, do të ishte më e drejtë nëse në vlerësimin e efektit të këtyre kompanive shikohen eksportet neto, përkatësisht diferenca ndërmjet eksporteve dhe importeve. Tani për tani, vlera e shtuar (përkatësisht diferenca) është kryesisht për shkak të fuqisë së shtuar së punës. Sa i përket volitshmërive që u mundësohen fabrikave të huaja, një pjesë e tyre nuk janë të njohura për opinion, por unë besoj se për një pjesë të tyre mund të gjendet arsyetim, sepse pa këto shkaqe kompanitë e huaja nuk do të vinin për të investuar këtu. Nëse atë që e shpenzojmë ne për fabrikat e huaja në kuptimin e plotë të fjalës është më e madhe se atë që e fitojmë si përfitim, do të mund të vlerësojmë vetëm në një afat të gjatë, thotë profesor universitar Marjan Petreski.

Analistët, megjithatë, theksojnë se mbështetja e drejtpërdrejtë që qeveria ua jep kompanive të huaja nuk është për t’u neglizhuar, e veçanërisht është problematike se ajo realizohet në mënyrë jo transparente, përdoren shkalla të ndryshme buxhetore për shkak të të cilave është shumë e vështirë të vërtetohet se sa të holla janë shpenzuar deri tani për këta investitorë të huaj që veprojnë në zonat e lira ekonomike. Kjo është ashtu për shkak se në raportet që i dërgon Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe Drejtoria për Zonat Zhvillimore Industriale-Teknologjike janë të publikuara vetëm njoftimet se një kompani të caktuar ka marrë volitshmëri, por shuma nuk zbulohet. Ajo mbetet sekret, e shkruar me tre ikse (domethënë me shenjën xxx).

http://www.slvesnik.com.mk/Issues/9AC86EE1AB48D34C94311C4EE9E14226.pdf

(Storia është përkrahur në kuadër të projektit NED “Ngritja e vetëdijes publike kundër korrupsionit përmes gazetarisë hulumtuese”)

Lajme të ngjashme

Back to top button