Virgjiniteti

Cipa në hyrje të vaginës ose në terminologjinë mjekësore, hymeni, është emërtuar në bazë të zotit të martesës Hymenaeus (sipas mitologjisë greke). Kjo është një membranë e hollë (mukozë) e cila pjesërisht mbyllë hyrjen e vaginës (introitus vaginae).

Cili është funksioni i himenit?
Himeni në të vërtetë nuk ka ndonjë rol të veçantë biologjik. Në disa kultura në të kaluarën, por edhe sot, ai ka një rëndësi psikosociale. Kjo vërehet nga besimi se himeni i paprekur (intakt) është dëshmi e virgjinitetit, pra mungesës së përvojës seksuale, andaj edhe është emërtuar cipa e virgjinitetit. Në të vërtetë, kjo paraqet më tepër një besëtytni sesa që i përgjigjet realitetit.
Duke marre parasysh anatominë e himenit dhe variacionet e ndryshme, ekzaminimi i një femre për të konstatuar se a është virgjine, nuk jep rezultat real.

Anatomia e himenit 
Himeni ka një apo më shumë vrima të vogla, gjë që mundëson daljen e sekretit dhe gjakderdhjes mujore që nga menstruacioni i parë deri në kalimin në menopauzë.

Ekzistojnë disa variacione të formës së himenit:
Hymen (h.) anularis (në formë unaze), h. semilunaris (në formë të gjysmëhënës), h. falciformis (në formë drapri), h. septus (me 2 hapje të mëdha dhe një mur në mes), etj.

Me rastin e marrëdhënies së parë seksuale vjen deri te pëlcitja e kësaj membrane (deflorimi) që përcillet me gjakderdhje. Pas shërimit mbetjet e himenit (Carunculae hymenalis) mund të vërehen në pjesën mediale të buzëve të vogla të vulvës (labia minora pudendi).

Tradicionalisht në shumë kultura, por edhe te ne, kjo konsiderohet si shenjë që femra ka qenë virgjine. Mosshfaqja e kësaj gjakderdhjeje gjatë aktit të parë seksual konsiderohet (shpesh gabimisht) se femra nuk është virgjine, vjen deri te dyshimi i partnerit e madje edhe deri te prishja e lidhjes apo martesës.

Duhet theksuar se, gati në 50% të rasteve, gjatë marrëdhënies së parë seksuale, nuk vjen deri te gjakderdhja ‘e pritur’ edhe pse, të themi kushtimisht, femra është virgjine ose më mirë të shprehemi, himeni është intakt. Kjo ndodhë sidomos kur himeni është elastik dhe përkundër marrëdhënieve seksuale, për shkak të këtij elasticitetit nuk vjen deri te pëlcitja e tij, pra as deri te gjakderdhja e pritur. Femra për këtë mund të ketë dhimbje gjatë aktit seksual, ndjen fajësi, ndërsa partneri mbetet i zhgënjyer dhe ndjehet ‘i tradhtuar’. Në këto raste sot, gjithsesi preferohet që të dy partnerët të konsultohen me gjinekologun.

Ekzistojnë raste kur himeni nuk posedon vrimën e lartpërmendur, pra është komplet e mbyllur (himen jo i perforuar) dhe vajzat e reja përkundër moshës. psh 13-15 vjeçare. ende nuk kanë patur menstruacionin e tyre të parë (menarrche) si dhe ankohen me dhembje të fundbarkut. Këtu kemi të bëjmë me anomali të lindur ku cikli menstrual ka filluar ndoshta disa muaj apo vite më parë, por gjaku i liruar në vend se të zbrazet, grumbullohet në vaginë dhe mitër). Bëhet fjalë për hematokolpos dhe hematometra që nëse vazhdojnë për kohë të gjatë, sjellin deri te dëmtimi i mitrës dhe vepërçuesve me grumbullim të gjakut menstrual në abdomen (menstruim retrograd). Gjithsesi në këso rastesh, prindërit duhet ta dërgojnë vajzën e tyre (e cila, përkundër moshës në krahasim me shoqet e veta, nuk po i vjen ‘menstruacioni i parë’) te gjinekologu.

Në të dyja rastet, si te himeni elastik, ashtu edhe te ai jo i perforuar, mund të rregullohet ky defekt i cipës himenale me intervenim të vogël operativ.

Lajme të ngjashme

Back to top button