Shaqiri: Begu me shokë kanë luftuar në tokën e tyre

Në sheshin e Deçanit u mbajt tubim mortor për Beg Rizajn. Tubimi ka filluar në orën 14 dhe në të moren pjesë qytetarë të shumtë jo vetëm nga Kosova por edhe nga Maqedonia dhe Shqipëria, transmeton RTK.

Kryetari i komunës së Deçanit Rasim Selmanaj duke u shprehur ngushëllime familjarëve të Beg Rizajt ka thënë se ai dhe bashkëluftëtarët e tij të rënë janë dëshmorë të kombit.

“Rënia e Beg Rizës, bashkëvendësit tonë dhe njërit nga luftëtarët më të vendosur të ushtrisë sonë, të njësitit të ‘Shqiponjave të Zeza’ tregon se çështja e shqiptarëve ende nuk është zgjidhur”, tha Selmanaj.

Ndërkaq Hysni Shaqiri, njëri nga ish komandantët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare tha se është i bindur se sot të gjithë janë me Deçanin, Dukagjinin dhe gjithë botën shqiptare.

“Ne po flasim për djemtë që gjithnjë kanë qenë me ideologji të frymëzuar për zgjidhjen e çështjes kombëtare, këtë nuk e them unë por e dëshmon vepra e tyre, ajo që u arrit më 9 maj nga Begu me shokë. Kumanova nuk është nën administrimin e Kosovës dhe Shqipërisë por është tokë shqiptare dhe atë ditë këta patriotë kanë qenë duke luftuar në tokën e tyre”, tha Shaqiri.

Para se të mbahet tubimi mortor për nder të Beg Rizajt janë bërë homazhe në Pallatin e Kulturës “Jusuf Gërvalla”, ndërkaq në orën 15 kortezhi me trupin e Begut do të niset nga Deqani për në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan ku edhe do të bëhet varrimi i tij.

Lajme të ngjashme

Back to top button