Çfarë po përgatitet në Kosovë, një grushtshteti apo…?

A është Kosova e kërcënuar vërtetë nga një rast i ngjashëm me atë të Kumanovës? Kjo është dilema që ngrihet pas deklaratës prokurorit të Prokurorisë speciale të Kosovës, Ali Rexha.

Nëse situata është aq alarmante pse nuk është dëgjuar deri tani asgjë për një qëllim të tillë?! Si ka mundësi që të jemi kaq të kërcënuar dhe shteti të ndihet kaq i qetë, dhe askush thuaja të mos e bisedojë këtë çështje, shkruan “Bota Sot”.

Deklarata nuk vjen nga një analist apo si rezultat i një analize. Ajo vjen si një informacion “bombë” për opinionin publik. Këtë informacion duhet ta trajtojnë me seriozitet të gjitha hallkat e institucioneve. Jo vetëm prokuroria e policia, por edhe Qeveria, Presidenca dhe komisionet përkatëse parlamentare.

“Unë po merrem me një rast më herët se që ka ndodhur në Kumanovë, me një rast shumë të rëndë që pritet me ndodh në Kosovë. Mirëpo, jemi në vazhdën e hetimeve dhe nxjerrjes së provave materiale lidhur me ato. Ne si shtet ligjor do ta pengojmë atë vepër penale, mirëpo jemi duke përcjell se kush është i përfshirë në atë rast edhe çka po duan konkretisht me bo”, deklaroi dje prokurori Ali Rexha.

Nuk dihet ende se në çfarë konteksti e ka thënë prokurori këtë apo se çfarë asociacionesh ka pasur ai parasysh kur ka thënë se po merret me një rast, që është i ngjashëm me atë të Kumanovëss.

Kush janë skenaristët e këtij plani? Çfarë etnie i përkasin, shqiptarë, serbë apo një etnie tjetër?

Skenari i parë, nëse shihen rrethanat dhe kërcënimet serbe, mund të jenë institucionet në veri të vendit, ku mund të ketë një radikalizim serb.

Skenari i dytë i bie që vendi të jetë i kërcënuar nga një lloj grushteti, pra që skenari flet për rrëzimin me forcë të qeverisë, gjë e cila është përfolur nga qeveria e kaluar. Madje një hipotezë ishte se edhe në protestën e parë të këtij viti, sipas qeveritarëve, dhuna e përdorur në protesta kishte synim grushtetin, marrjen me forcë të pushtetit. Edhe disa paralajmërime të opozitës kanë qenë se qeveria do të ballafaqohet me situata të fuqishme reagimi në pranverë.

Skenari i dytë rezulton të jetë më i mundshëm bazuar në kompetencat dhe juridiksionin e plotë të Prokurorisë speciale, gjë të cilën e ka të reduktuar në veri.
Por, nëse bëhet fjalë për rastin e dytë, çfarë i lidh këto dy raste që Rexhaj të alarmojë duke i parë si sinonimike apo të ngjashme. Në Kumanovë, shqiptarët u vranë, të paktën kështu besohet dhe ata kështu po nderohen edhe për momentin e varrimit, si heronj kombëtarë, pasi kanë synuar realizimin e një qëllimi për interesa të kombit shqiptarë, dhe para së gjithash të shqiptarëve atje.

Nëse kishte një rrjet të përbashkët, që kishte si synim rrëzimin e dy qeverive, mos janë humbur shumë gjurmë me vrasjet në Kumanovë!?

Pse tingëllon ngjashëm ky hetim i prokurorit, me retorikën e Hashim Thaçit, kur menjëherë pas aksionit tha se grupi që kishte marrë pjesë në Kumanovë ishin armiqtë më të mëdhenj të Ballkanit?! Pse prokurori është kaq i sigurtë kur thotë se po merret “me një rast shumë të rëndë që pritet me ndodhë në Kosovë”?!

Si mund të qëndrohet në pritje, nëse ka informacione kaq bindëse për mundësinë e zhvillimit të një ngjarje tragjike!? Kjo është non sens, e pa dëgjuar, po sikurse që ndodhi në Kumanovë, që rezultoi se qeveria Gruevski ka ditur për grupin, dhe për gjithçka tjetër, dhe nuk e parandaloi! Edhe institucione të Kosovës thanë se kanë ditur dhe lejuan të ndodhë!

Pse duhet lejuar si skenari 1 ashtu edhe skenari 2?, pyet Bota Sot.

Lajme të ngjashme

Back to top button