Në 5 muaj janë kthyer 6 mijë kosovarë

Gjashtë mijë emigrantë nga Kosova janë kthyer në vendin e tyre muajt e fundit. Këtë e konfirmon për KosovaLive Valon Krasniqi, zyrtar për migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

“Kryesisht, Gjermania është duke i kthyer në numër më të madh. Prej Gjermanisë do të thotë ka kthim pothuajse çdo javë, por ka edhe nga shtetet e tjera, si nga Hungaria, Austria, Suedia, Zvicra. Prej 1 janarit deri dje janë kthyer mbi gjashtëmijë kosovarë, ndërsa po ta krahasojmë me vitin e kaluar, ku krejt vitin janë kthyer 4600, vërehet një dallim i madh. Pra, ka rritje të numrit të të kthyerve”, është shprehur Krasniqi.

Sipas tij, të martën, 26 maj, është paralajmëruar një kthim për rreth 100 persona, ndërsa edhe për datën 2 qershor pritet e njëjta gjë.

Ndërkohë, në një raport të publikuar në muajin prill nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), thuhet se gati gjysma e familjeve (47 për qind) raportojnë se kanë anëtarë të familjes jashtë vendit.

Nga fundi i vitit të kaluar dhe në muajt e parë të këtij viti, mijëra qytetarë kosovarë zgjodhën rrugën e migrimit për në vendet e BE-së, ku vendin e parë e ze Gjermania. /albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button