Ballkani po “ndizet” sërish?!

Përkundër supozimit se në Ballkan do të duhej të kishte stabilitet, paqe dhe mbizotërim të vlerave evropiane, ngjan se në këtë gadishull së fundmi po fryjnë erërat e nacionalizmit, nga politikanët e çdo shteti.
 
Copëza të ndjenjës nacionaliste kemi edhe në Shqipëri, por se kjo ndjesi është dhe më e fuqishme dhe për rrjedhojë edhe më vetëshkatërruese për politikanët dhe njerëzit në Maqedoni dhe në Greqi.
 
Adrenalina e kryeministrit shqiptar Edi Rama, për të qenë i dashur thuajse me çdo kusht për shqiptarët, anekënd ku ata jetojnë, duket se ka shkaktuar jo pak shpërqëndrim në mesin e qeverive të vendeve fqinje.
 
Rama i hodhi “benzinë” zjarrit të nacionalizmit në Kosovë, kur tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkohen në mënyrë klasike. Në këtë deklaratë, por edhe të tjera të Ramës, frika është ajo se mos Rama po bëhet njëlloj si Berisha, duke ngjallur nacionalizmin folklorik.
 
Si pasojë e deklaratave të Ramës, por edhe veprime konkrete të tij (vetoja për Maqedoninë për në NATO nëse ky shtet nuk përmbush Marrëveshjen e Ohrit dhe emërimi i një çami si zv.kryetar i Kuvendit, solli reagime të ashpra nga Maqedonia dhe Greqia.
Përmes një reagimi të fuqishëm dhe përdorimit të një gjuhe që e tejkalonte kufirin e normalitetit, MPJ e Greqisë dënonte emërimin e Shpëtim Idrizit si nënkryetar të Kuvendit.
 
Për rrjedhojë, ministri i Jashtëm i Maqedonisë Nikola Popovski dhe ai i Greqisë, Nikos Kotzias nuk erdhën në Tiranë në Konferencën Rajonale të ministrave të jashtëm.
 
Ky realitet politik i Ballkanit, ku qeveritë e shteteve i fryjnë zjarrit nacionalist, sidomos qeveritë në Shkup dhe në Athinë, nuk i shërben misionit të paqes në një rajon, të rrënuar e të lodhur nga luftërat.
Ndërkaq, nëse flitet për atë se çfarë transmetojnë mediat në rajon, mund të thuhet se për turpin e asaj se Greqia është shtet anëtar i BE-së, në këtë vend ekzistonka edhe një gazetë bulevardeske, që trillon realitetin, e fryn atë, deri aty sa flet edhe për “luftë”.
 
Më konkretisht, gazeta greke EPIKAIRA, ka patur si titull kryesor “Cilët dhe pse po e ndezin tani zjarrin në kufi” dhe në ballinë një fotografi e Edi Ramës, sikur kryeministri ynë na qënkërka ndonja nacionalist i thekshëm.
 
Po ashtu, përdorimi i dendur në mediat maqedonase, greke, serbe apo më gjërë në rajon i termit “Shqipëri e Madhe” është një dashakeqësi krejt e hapur.
 
Edi Rama, promovues me fjalë i asaj se në Ballkan duhet të ketë paqe, siguri, stabilitet dhe shtete të së drejtës, duhet të sillet edhe në veprime si i tillë.
 
Të imponohesh si i dashur ndër shqiptarë, duke qenë sadopak nacionalist, mund të jetë tejet e rrezikshme.
 
Zjarri i nacionalizmit djeg më së shumti atë që e ndez atë.
Megjithatë, duhet thënë e vërteta se veprimi i Tiranës zyrtare për veto ndaj Maqedonisë në NATO nëse ky shtet nuk përmbush pikat e Marrëveshjes së Ohrit, është edhe akt i pastër patriotik, si kërkesë që shteti amë bën për të drejta të barabarta të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë, me çdo shtetas të kësaj republike, pavarësisht etnisë.
 
Frika dhe fataliteti i këtij veprimi, mund të jetë ai, se vetoja e Shqipërisë, e cila i shtohet vetos greke, mund ta rrisë edhe më tej nacionalizmin (antishqiptar) të Gruevskit dhe kryeministri maqedonas mund të bëhet edhe më diktator nga se është aktualisht.
 
Nikola Gruevski, në atë politikë që po ndjek, po e degradon çdo ditë e më shumë Maqedoninë dhe po e largon atë nga orbita e politikave të Europës, duke e drejtuar për nga politikat pro-ruse.
Fati i Gruevskit dhe i Maqedonisë në të ardhmen vështirë se mund të parashikohet.
 
Ky rajon, duket se po “zien” sërish dhe “nervi ballkanik” duket se është më i pranishëm në qeverinë e Shkupit.
 
Se çfarë do të ndodhë më tej në Ballkan është e vështirë të parashikohet, por se në këtë rajon është e sigurt se çdo ndodhi është e mundshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button