Inaugurohet shtatorja e Ismail Qemalit në Prishtinë, Rama: Bashkimin kombëtar do e bëjmë në BE

Sot në Prishtinë është zhvilluar ceremonia e inaugurimit të shtatores se Ismail Qemalit, ku merrte pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Gjithashtu pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe shumë të ftuar të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalën e tij në këtë ceremoni, deklaroi se nëse shqiptarët duan ta nderojnë këtë shtatore, ata duhet të vazhdojnë drejt rrugës së vlerave demokratike dhe drejt përmbushjes së amanetit të shqiptarëve të bashkuar në Evropën e bashkuar.

Rama ndër të tjera u shpreh se: “Shtatorja e Ismail Qemailit del për të mos lëvizur në këtë shesh si guri i rënd në vendin e vet. Sot vjen me këmbët e veta, ati i pavarësisë së Shqipërisë, dhe prehet me shpirtin e tij rrezatues edhe në këtë tokë përfundimisht të çliruar dhe të mosvarme njëherë e përjetë”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjithashtu u shpreh se kur Ismail Qemaili i kërkonte fqinjëve që të respektojnë fjalën e dhënë, nuk kërkoi traktate e dokumente dhe kur shqiptarët e Maqedonisë përkushtohen për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit, ata nuk kërkojnë lëmosh nga një shtet i vobektë, por kërkojnë të drejtat e tyre, siç nuk kërkojnë asgjë më shumë shqiptarët e Luginës së Preshevës, se sa të drejtat e serbëve në Kosovë.

Ndërsa kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në ceremoninë e inaugurimit të shtatores së Ismail Qemailit, ka deklaruar se deri në fund të vitit do ta dërgojnë edhe shtatoren e Hasan Prishtinës në qytetin e Vlorës. “Nuk kemi nevojë për thënie të reja, mjafton t’i implementojmë ato që i kanë dashur Ismail Qemaili dhe rilindësit tonë”, – u shpreh kreu i komunës së Prishtinës.

Kujtojmë se më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë krijimit të shtetit shqiptar. Ai do të drejtonte edhe qeverinë e parë shqiptare, selia e së cilës për disa muaj u vendos në godinën ku u ngrit Flamuri.

Lajme të ngjashme

Back to top button