Edhe një shpërngulje

Bibi është një nga njerëzit më të shetitur që njoh. Nuk ka kontinent ku nuk ka shkelur, bile një pjesë të tyre duke i ecur shtet më shtet. Kilometrazha e saj fantastike dëshmon se edhe me pak buxhet arrihet kjo mundësi unikale, e pakrahasueshme me mënyrat e ndërmjetësuara të njohjes së kulturave dhe njerëzve tjerë.

Ajo dhe miqtë e saj i kanë dyert e hapura kudo që shkojnë, ashtu si i kanë të hapura shtëpitë e veta për ata që vijnë për disa ditë këtu. Është kjo listë e gjatë e njohësive me të tjerë të pasionuar pas udhëtimeve që kësisoj më kollaj i afrohen ëndrrës së vet. Janë këto mikëpritje funkcionale, të dobishme për të gjithë, pa shumë fanfare dhe me respektim maksimal të privatitetit. Vëllazëri e joproklamuar e njerëzve që marrin frymë të lirë, shetisin të lirë dhe jetojnë të lirë.

Brenda kësaj vëllazërie Bibi krijon miq në gjithë botën. Të ngjajshëm sipas të kuptuarit të udhëtimeve si shkëputje nga lineariteti dhe spastrim mendjeje që mundëson botëvështrim më të pasur dhe më të saktë. Përveç kësaj, njohja e tjerëve është mënyra më efikase për njohjen e vetvetes.

Në takimet pas kthimit të saj në shtëpi, më bënte përshtypje mënyra atipike e rrëfimit të përshtypjeve – nuk përmendte objektet e njohura, atraktivitetet që kolokvijalisht lidhen me vendin ku kishte qenë, por fliste për atmosferën, raportet mes njerëzve, për ditët e zakonshme atje, çfarë fëmijësh ka njohtuar, sa janë të gjalla rrugët dhe sheshet, si shijon ushqimi…

Kështu ndodhte deri para nisjes së saj vitin e kaluar në Gjermani.

Kjo nuk ishte nisje e zakontë për dikund, por edhe një shpërngulje më shumë anise Bibi bënte sikur përgatitet për ekskurzion, sa për të përthithur pak ajër të freskët. Prandaj as nuk u takuam për t’u përshëndetur para shkuarjes. Tash e di se kjo paskësh qenë frigë nga ndarja. Nuk paskemi dashur të pranojmë se kjo nuk është një udhëtim i thjeshtë, si ecejaket e saj të shumta nëpër botë pas të cilave kthehej me shumë impresione, njohtësi të reja dhe me më pak besim se ky vend një ditë do të ujdiset si duhet. Kjo shkuarje e fundit ishte shpërngulje pa shumë fjalë që nuk kishte dashur t’ia thotë as vetes, e lëre më tjerëve. E lodhur nga jeta me kalem, nga përllogaritja e shpenzimeve ditore, një ditë thjesht vendosi që meriton më shumë, meriton më mirë. Nuk kishte shpresa që këtu mund të gjejë më mirë dhe më shumë.

Mikja ime e vazhdon vargun e të rinjëve që ia kthyen shpinën atdheut pasi atdheu disa herë ua kishte kthyer shpinën atyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button