Veto-ja e Shqipërisë ndaj Maqedonisë, çfarë realisht mund të ndodh?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kohë më parë tha se Maqedonia nuk mund të bëhet pjesë e NATO-s pa respektuar Marrëveshjen e Ohrit. Sa janë reale këto “kërcënime” dhe a mundet praktikisht këtë ta realizojë Shqipëria?

Kryetari i këshillit Euro-Atlantik, Ismet Ramadani thotë për Portalb se Shqipëria gjithnjë ka përkrahur dhe lobuar për Maqedoninë që të anëtarësohet në NATO, por tani e pa që kjo gjë nuk vlerësohet.

“Gjatë gjithë këtyre viteve Maqedonia ka aspiratë për anëtarësim në NATO dhe shteti shqiptar ka qenë korrekt dhe ka ndihmuar atë, pasi që Shqipëria ka lobuar që Maqedonisë ti hapet rruga drejt NATO-s. ky angazhim nuk është vlerësuar dhe gjithashtu nuk është treguar korrektësi ndaj shqiptarëve të Maqedonisë. Nuk praktikohet Marrëveshja e Ohrit gjë që jep shkas që Shqipëria të tregojë rezervë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Kjo i jep të drejtë kryeministrit Rama që nise vazhdon Maqedonia të sillet kështu me shqiptarët, ai të vendos veto”, tha Ramadani.

Ai shtoi se ky është vetëm një paralajmërim dhe se Shqipëria e ka të drejtën e VETO-s dhe për ta bërë atë duhet të ketë arsye dhe ato mund të jenë edhe shkaqe politike

“ Kjo është një porosi apo paralajmërim se nëse Maqedonia nuk ndryshon qasje ndaj shqiptarëve si dhe nëse nuk ka kujdes ndaj tentimeve për destabilizim dhe etiketim të shqiptarëve dhe të montojë procese, ekziston mundësia e vetos. Vetoja është e drejtë e patjetërsueshme, por për të duhet të ketë arsye dhe ato mund të jenë edhe shkaqe politike. Standardet janë komplementare si të BE-së, shtetet që janë në NATO janë po ashtu edhe në BE”, shtoi Ramadani.

Nga ana tjetër ish ambasadori i Maqedonisë në NATO Nano Ruzhin, thotë se Shqipëria nuk mund të vendos veto Maqedonisë dhe se Maqedonia ka plotësuar kushtet për anëtarësim në NATO.

“Shqipëria nuk mund të vendos veto dhe me këtë të ndërpres rrugën e Maqedonisë për anëtarësim në NATO në asnjë pozitë. Në thelb Maqedonia në programin e saj nacional vjetor për anëtarësim i ka plotësuar kushtet që parashikohen me Marrëveshjen e Ohrit, dhe më së paku Shqipëria ka të drejtë të flas për realizmin e këtyre obligimeve përderisa në qeveri partner koalicioni i Gruevskit është ende BDI-ja.  Edhe nëse BDI largohet nga qeveria, obligimet e MO-së mbesin. Si shtet i ri në NATO, Shqipëria nuk ka ndikim në NATO dhe nuk ka pozicione si Greqia. Nuk është e mjaftueshme vetëm pozitat por edhe përkrahja nga ana e vendeve tjera anëtarë ne NATO”, tha për Portalb, Ruzhin.

Ai shtoi se deklaratat e fundit të Ramës kanë të bëjnë me politikën e brendshme të Shqipërisë, pasi që së shpejti do të ketë zgjedhje lokale.

“Ambiciet e Ramës janë të natyrës politike, ato lidhen me nevojat e politikave të brendshme para fillimit të kampanjës për zgjedhje lokale. Kushtet e Maqedonisë për anëtarësim në NATO janë të zgjidh çështjen e emrit me Greqinë, si dhe besoj që pas ngjarjeve të fundit do të kërkohet edhe mbizotërimi dhe qasja e demokracisë në vend”, shtoi Ruzhin. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button