BB mbështet Shqipërinë, program kreditimi prej 1.2 miliardë dollarësh

Banka Botërore do t’i akordojë Shqipërisë 1.2 miliardë dollarë borxh për pesë vitet e ardhshme. Paketa e paprecedentë e financimit, që u miratua nga bordi i drejtorëve ekzekutiv është pjesë e programit të ri 5-vjeçar të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe këtij institucioni.

Në njoftimin zyrtar të lëshuar nga Banka, thuhet se fondet do të mbështesin Shqipërinë në aspiratat e saj për një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe integrim në bashkimin europian. Po kështu njoftimi thekson se bordi i drejtorëve e ka mirëpritur progresin e deritanishëm të Shqipërisë në zbatimin e reformave strukturore dhe atyre fiskale duke njohur angazhimin e fortë të qeverisë për këto reforma të shtyra prej kohësh.

Më konkretisht, Banka thotë se paketa e financimit do të mbështesë reformat në tre fusha kryesore; qëndrueshmërinë fiskale, nxitjen e sektorit privat dhe mirëqeverisjen e forcimin e sektorit publik.

Pas miratimit të paketës, drejtoresha e Bankës Botërore për rajonin, Elen Goldstein, deklaroi se Shqipëria ka një shans historik për t’u shkëputur nga e kaluara dhe për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik e integrimin e saj në Bashkimin Europian.

Shuma prej 1.2 miliardë që Shqipëria do të marrë për pesë vitet e ardhshme është pjesë e tavaneve të paracaktuara të borxhit dhe nuk e rrit atë përtej niveleve të paracaktuara. Në programin afatmesëm qeveria është angazhuar që si raport ndaj prodhimit kombëtar, borxhi publik të ulet në 65 për qind në fund të vitit 2017 nga 73.6 për qind që është aktualisht.

Lajme të ngjashme

Back to top button