Shkëndija ndeshjen e fundit e luan në Kërçovë

Skuadra ‘kuqezi’ përfundimisht do të ketë mundësi që të mbyllë sezonin bashkë me tifozët e saj, duke vendosur me këtë rast që hyrja të jetë pa pagesë. Federata e Futbollit të Maqedonsië në konsultim me Ministrinë për Punë të Brendshme ka vendosur që për ndeshjet e xhiros së 32-të dhe të fundit të këtij sezoni garues të hiqet ndalesa e pranisë së shikuesve. FFM-ja me rekomandim të MPB-së vendosi që ndeshjet e futbollit në të gjithë kategoritë të luhen pa praninë e publikut pas situatës së tensionuar si pasojë e ngjarjeve të Kumanovës dhe protestave të shumta në vend.

Gjithsesi, pasi gjërat duket se po qetësohen, vjen vendimi më racional për sportin në përgjithësi, që takimet të luhen me prani të dashamirëve të futbollit. Kështu, Shkëndija mbylljen e sezonit me Metalurgun në Kërçovë do ta bëjë para spektatorëve lokal, por edhe atyre që planifikojnë të udhëtojnë nga Tetova dhe rrethina. Shkëndija dy javë më parë luajti në Kërçovë me Vardarin pa prani të tifozëve dhe fitorja 1:0 ‘kuqezinjëve’ u siguroi ‘biletën’ për pjesëmarje në kualifikimet e Liga Evropës.

Në kushte të këtilla kur skuadra sërisht do të luajë në Evropë, është e mirëseardhur që ndarja me tifozët të bëhet pikërisht në teren pas ndeshjes se fundit sezonale. Duke ditur se kjo do të jetë ndeshja e fundit kampionale për sezonin garues 2014/2015 dhe se për shkak të rikonstruimit të stadiumit të Tetovës ekipi detyrohet të luajë jashta terenit vendas, në këtë rast në Kërçovë, kryesia e klubit ka vendosur që dyert e tribunave të jenë të hapura dhe tifozët mos paguajnë bileta. Ndeshja e xhiros së 32-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë Shkëndija-Metalurgu luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Kërçovë me fillim në orën 16:30.

Lajme të ngjashme

Back to top button