5 metodat natyrale për të luftuar stresin e fytyrës

Nëse je e stresuar, e lodhur apo e mërzitur, këtë e tregon çdo pjesë e trupit. Sasia e madhe e stresit dhe ulja e imunitetit ndikojnë dëmshëm në lëkurë. Por këtu flitet për atë lloj stresi që më shumë se çdo pjesë e trupit , ta transmeton fytyra. Nëse je me energji gjatë ditës, trupi prodhon qeliza që luftojnë me bakteret dhe viruset dhe nuk lejojnë sulmin ndaj lëkurës. Por pas një dite dinamike, të ngarkuar me punë dhe angazhime të tjera, pasditja është periudha gjatë së cilës, fytyra ta tregon më shumë stresin. Stresi në fytyrë mund të shfaqet në pamjen e lëkurës në tri mënyra: me tkurrjen e muskujve (shtangim i fytyrës), ngushtimin e enëve të gjakut (zbehje, humbje e shkëlqimit dhe freskisë) dhe dehidratimi (kur je e stresuar nuk pi shumë ujë. Kafja ose pijet me gaz janë dehidratuese.)

Studimet e fundit kanë zbuluar disa metoda natyrale për të luftuar stresin që fshihet në fytyrë pas një dite të lodhshme. Niveli i lartë i kortizolit – hormoni i stresit mund të jetë shkaktar për probleme të shumta dermatologjike. Kur je e tensionuar, trupi prodhon hormone dhe pasojat shfaqen pikërisht në lëkurë, e cila duket e pajetë dhe pa shkëlqim.

Por ka disa trajtime natyrale:

Shëtit në natyrë

Është një nga kurat më të mira natyrale për të luftuar stresin e lëkurës. Një këshillë e vazhdueshme nga dermatologët është shëtitja në vende me gjelbërim dhe me ajër të pastër.

Sa herë që je e qetë dhe ndien kënaqësi, trupi liron endorfinën, hormoni i lumturisë, por njëkohësisht është edhe arma më e mirë kundër stresit. Shëtitja është një terapi e pazëvendësueshme antistresuese dhe të ndihmon të çlirohesh nga çdo ngarkesë e ditës.

Lufto rrudhat me maska natyrale

Mund të jenë të të gjitha llojeve: me fruta, me vezë, me limon, me kastravec, gjithçka kundër rrudhave. Mbi të gjitha, lufto stresin edhe duke aplikuar një herë në javë një trajtim antirrudhë me produkte natyrale. Mos harro të masazhosh duke e shpërndarë maskën në të gjithë fytyrën, sidomos mbi ballë. Lëvizjet duhet të jenë horizontale dhe ngulmo drejt kockës së mbivetullave.

Ushqehu shëndetshëm

Kjo është një këshillë që të vjen gjithmonë për çdo shqetësim të vogël që mund të të japë organizmi, por mos harro se fytyra, duke qenë e para që të tregon sa e stresuar je, të kërkon po ashtu që të ushqehesh mirë: sa më shumë fruta dhe perime të stinës, në mënyrë që edhe lëkura të të duket po aq e freskët sa ato.

Kujdes me rrezet e diellit

Janë gjithmonë të dëmshme dhe sa më shumë je nën efektin e tyre, aq më shumë ato ta stresojnë fytyrën. Në çdo rast që do dalësh në diell, duhet të kesh patjetër me vete kremin solar, i cili është një mbrojtës i mirë për stresin e lëkurës. Koha e plazhit po vjen, kështu që nëse akoma nuk e ke blerë kremin me SPF të lartë (30-50), është koha ta bësh.

Pastro lëkurën çdo mbrëmje

Në çdo ditë përdor qumështin pastrues dhe masazhoje fytyrën me mollëzat e gishtave. Përhape tonikun në të gjithë fytyrën me tonikun dhe lërë fytyrën të ajroset për disa minuta.

Lajme të ngjashme

Back to top button