Fillojnë fluturimet në aeroportin “Ordu-Giresun” në Turqi, i pari në Europë mbi det

Aeroporti “Ordu-Giresun” i cili mbart cilësinë si aeroporti i vetëm në Turqi dhe në Europë i ndërtuar mbi det filloi ditën e sotme fluturimet e planifikuara, raporton Anadolu Agency (AA).

Në aeroportin “Ordu-Giresun” sot do të mbahet një ceremoni zyrtare për hapjen e tij ku do të marrin pjesë Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan me Kryeministrin, Ahmet Davutoğlu.

Në orët e para të këtij mëngjesi avioni “Batman” i Turkish Airlines i nisur nga Stambolli kreu uljen në aeroport.

Avioni me 136 pasagjerë në bord pasi kreu uljen në aeroportin “Ordu-Giresun”, ai mori pasagjerët e tjerë dhe u largua nga aeroporti.

Gjithashtu qytetarët e rajonit Ordu dhe Giresun kanë ndjekur me interes këtë ulje dhe ngritje të avionit i cili prej kohësh pritej të realizohej.

Aeroporti “Ordu-Giresun” është aeroporti i 52-të në Turqi dhe bart cilësinë si aeroporti i vetëm në atë vend dhe në Europë i ndërtuar mbi det, ndërsa ndër të rrallët në botë me këtë cilësi.

Rreth 35 milionë ton gur janë përdorur për të mbushur hapësirën e rreth 1,8 milionë metra katrorë në det. Gjatë ndërtimit të aeroportit është përdorur teknologjia më moderne në mënyrë që valët e detit mos të dëmtojnë aeroportin.

Ndërtimi i aeroportit ka kushtuar rreth 360 milionë lira turke, përkatësisht 132,6 milionë dollarë.

Gjatë 12 viteve të fundit numri i aeroporteve në Turqi është rritur nga 26 në 53. Turqia planifikon të ndërtojë edhe aeroportin “Rize-Artvin”, i i cili do të ishte aeroporti i dytë në det në atë vend.

Qeveria e Turqisë planifikon që deri në vitin 2023 në çdo 100 kilometra të ndërtojë nga një aeroport.

Lajme të ngjashme

Back to top button