Lamtumirë Nikolla Gruevski

Mitingu i 18 majit të vitit 2015 i mbajtur para Parlamentit të Republikës së Maqedonisë, nga ana e partisë në pushtet, VMRO-DPMNE-së mu duk si miting lamtumirës me elektoratin e saj.
Ky miting erdhi si një  kundër reaksion i mitingut të Lidhjes social demokrate të Maqedonisë e cila me 17 maj, para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë kërkoi shkarkimin e Nikolla Gruevskit dhe kabinetit të tij qeveritar.
18 maji i këtij viti do të përkujtohet si një datë historike, në të cilën për të parën herë në fytyrën e Nikolla Gruevskit shihen shenja të dorëzimit dhe lodhjes në një rrugë pa krye.
Personalisht e mbaj mend ngritjen e tij në skenën politike, pasi që gati se në të njëjtën kohë edhe unë kam pasur ngritjen time në skenën publicistike, viti 2006.
Qytetarët shqiptar dhe maqedonas të Republikës së Maqedonisë, Nikolla Gruevskin do ta mbajnë mend për shumë gjëra. Gjërat negative mbisundojnë tek vlerat pozitive të cilat janë mbjell në vokabularin politik dhe vetëdijen ideologjike të popujve që jetojnë në Republikën e Maqedonisë.
Votuesi shqiptar, do ta mbaj mend Nikolla Gruevskin për shkeljen e vullnetit të votës shqiptare në Maqedoni. Ai kundër vullnetit të shqiptarëve, edhe pse në zgjedhje demokratike pat fituar BDI-ja, e zgjodhi PDSH-në si partner koalicioni dhe filloi që të realizoj skenar nga më të ndryshmet në Maqedoni.
Montimet politike te shqiptarët e Maqedonisë, mbahen mend nga ky pushtet dhe nga kjo qeveri. Edhe pse montime politike shqiptarët në ish Jugosllavi kanë pasur shumë, por pas ish Jugosllavisë, periudha e sundimit të Nikolla Gruevskit është e mbushur me të tilla montime.
Investimet në pjesën maqedonase dhe lënia shkret e vendbanimeve shqiptare, është një fytyrë reale në këtë shtet. Të diplomuarit në ekonomi, juridik, diplomaci, sociologji, po të mos kishin 3.000 euro, 5.000 euro ose edhe 10.000 euro për t`i dhënë për një vend pune në administratë, do të ngelnin si shitës pemësh e perimesh në tregun e gjelbër, taksist në rrugët e Kumanovës e të vendeve tjera dhe kamarier në kafiteritë e Tetovës e Gostivarit. Dikush edhe mund të habitet me profilin e njerëzve shqiptar të cilët punojnë punë më të ndryshme vetëm për të mbijetuar.
Ata kanë kryer fakultete të ndryshme me shpresën se e ardhmja e tyre dhe e familjeve të tyre do të jetë më e lehtë dhe më e ndritshme, por investimet e Nikolla Gruevskit asesi të kishin prekje edhe tek shqiptarët e shkretë.
Dy rrugë ishin të zgjedhura për to, ose të punonin punë që si përkisnin profesionit të tyre, ose të kapnin rrugën e mërgimit e të shpëtonin kokën e tyre.
Nuk e besoj se shqiptarët janë aq dembel, ashtu si paraqiten nga kjo qeveri. Por ato kanë nevojë, në fakt kishin nevojë për përkujdesje dhe krijimin e disa kushteve elementare për punësimin e tyre.
Qeveria e Nikolla Gruevskit nuk ka bërë asnjë investim kapital në Komunën e Likovës e cila ka mbi 40.000 banor, komunë më e madhe se qyteti i Vinicës, ndërsa atje ka hapur pesë fabrika.
Qeveria e Gruevskit nuk u përkujdes për të zhvilluar arsimin shqip, por e përçau atë në mënyra të ndryshme si dhe ktheu mentalitetin e bashkim-vëllazërimit si në kohën e sistemit komunist, ndërsa në anën tjetër në shkollat maqedonase, zhvillohen teknologjitë më të reja shkencore, përkthehet literatura shkencore e niveleve botërore, zhvillohet infrastruktura për të pasur suksese në të gjitha nivelet e shkencës.
Ne të mbajmë mend Nikolla Gruevski si një njeri i cili sektorin privat të shqiptarëve të Maqedonisë e vjele përmes taksave dhe dënimeve të palogjikshme. U dënuan shumë biznese shqiptare me ka 3.000 e 5.000 euro, vetëm pse kanë gjetur në llogarit e tyre ditore mjete minore ose tejet të vogla të pa regjistruara. Në anën tjetër, nga përgjimet të cilat po i nxjerr në pah opozita maqedonase me në krye Zoran Zaevin, po mund të kuptojmë se sa i njëanshëm ke qenë ti kur kanë qenë në pyetje bizneset maqedonase.
Qeverinë e Nikolla Gruevskit e mbajmë mend për Shkupin 2014, ku u investuan me miliarda euro në statuja të ndryshme dhe fshehjen e identitetit osman të qytetit të Shkupit, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë vdisnin për bukë rrugëve të Kumanovës e Shkupit.
Ty Nikolla të mbajmë mend edhe për Lagjen e trimave 2015, ku te një popullsi e pafajshme solle polici e artileri ushtarake për të luftuar kundër një grupi që edhe vet ju zyrtarisht thuani se nuk ia dini qëllimet se pse ka ardhur në atë vend. Pa mbajtur aspak llogari për popullatën e kësaj ane dhe pronën e shqiptarëve të ndërtuar me djersë, tmerrove  popullatën e pafajshme, ia prishe pronat dhe aspak nuk mban llogari për to.
T`i Nikolla Gruevski ke marr lamtumirën e fundit nga Lagja e trimave me 9 dhe 10 maj të vitit 2015, ndërsa me 18 maj mbajte edhe vet fjalimin lamtumirës. Edhe pse ende je kryeministër i Maqedonisë, për shqiptarët e këtij vendi dhe të Lagjes time të trimave t`i nuk je më as banor i Republikës së Maqedonisë.
Faleminderit Nikolla për të gjitha dhimbjet, papunësinë, përbuzjen e shkeljen që ia bëre popullit tim. Ne, nuk e kemi humbur shpresën në drejtësinë e Atij që sundon me qiellin dhe tokën.

Lajme të ngjashme

Back to top button