Mbërrijnë në Kosovë trupat e të vrarëve në Kumanovë

Pak minuta para orës 4 të mëngjesit kanë hyrë në territorin e Kosovës trupat e 9 shtetasve të Kosovës, të vrarë në luftimet e 9 majit në Kumanovë.

Një kolonë e gjatë automjetesh me familjarë dhe makina funeralesh kanë hyrë në këtë kohë në kufirin në Hanin e Elezit.

Rreth 100 persona kanë qëndruar deri në atë kohë për të përcjellë hyrjen e kufomave në Kosovë.

Familjarët e personave të vrarë i kanë marrë trupat e pajetë të të afërmve të tyre nga autoritetet e Maqedonisë rreth orës 3 e 15 , ndërkohë që kortezhi ka hyrë në territorin e Kosovës, në orën 4: 10, përmes pikës kufitare në Han të Elezit.

Familjarët që kanë marrë të afërmit e tyre të pajetë në Maqedoni, që nga dita e enjte, gjatë gjithë kohës janë shoqëruar nga drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu.

Gërxhaliu, menjëherë pas hyrjes së kortezhit në territorin e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se pas procedurave, që i quajiti të zgjatura burokratike nga autoritetet maqedonase, trupat e pa jetë janë identifikuar nga familjarët dhe ata ishin në rrugë drejt morgut të Departamentit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë

“Paksa i stërzgjatën procedurat, ndoshta edhe më tepër se që duhet. Por, marrë në përgjithësi që numri ishte prej nëntë personash, secili drejtim i punës priste ta përfundonte punën një sektor, për ta marrë pastaj sektori tjetër. Kjo ishte paksa e mundimshme, mirëpo meqenëse u arrit që familjarët të bëjnë identifikimin e 9 personave, arritëm që t’i marrim në këto orë të vona. Në orën 4 e 10 minuta kemi hyrë në kufi dhe tash jemi rrugës. Po i dërgojmë në morgun e Prishtinës”, tha Gërxhaliu.

Ai ka shtuar se gjatë pritjes për identifikimin dhe marrjen e trupave të pajetë, kanë pasur mbështetje dhe ndihmesë mjaft të madhe nga ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa.

Gërxhaliu, ka theksuar se vetë familjarët e shtetasve të Kosovës, të vrarë në incidentin e Kumanovës, kanë insistuar që të përsëritet ekspertiza mjeko-ligjore dhe sipas tij, një gjë e tillë edhe do të bëhet..

“Po, ata e kanë thënë këtë gjatë gjithë kohës dhe ne kemi qëndruar bashkë më shumë se 12 orë. Ata janë duke ardhur drejt morgut që të bëjnë kërkesat e tyre dhe dëshirojnë që gjithsesi të bëhen ri-autopsitë edhe në departamentin tonë”, ka theksuar Gërxhaliu.

Në anën tjetër, edhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirisë dhe të Drejtave të Njeriut, ka bërë thirrje ndaj familjarëve të personave, shtetas të Kosovës, që kanë humbur jetën në incidentin e Kumanovës, si dhe ndaj institucioneve të Kosovës, që të përsëritet ekzaminimi i trupave të pajetë.

Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirisë së Njeriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky këshill insiston që trupat e pajetë që janë sjellë nga Maqedonia, të mos varrosen para se t’i nënshtrohen edhe një herë ekspertizës.

“Insistimi ynë është që ka mundësi edhe forenzika, por edhe mjekësia ligjore – në qoftë se është nevoja, shteti duhet të investojë edhe në ekspert të jashtëm- në mënyrë që të bëhet një super-ekspertizë, në mënyrë që të vërtetohen shkaqet e vdekjes. Vetëm atëherë kur të bëhet një super-ekspertizë dhe të dihen shkaqet e vdekjes, atëherë mund të bëhet varrimi. Në qoftë se e bëjnë varrimin tash, atëherë shumë gjëra do të mbeten mister dhe të pasqaruara”, tha Shala.

Ai ka shtuar se KMDLNJ, insiston që të zbardhen faktet nëse personat që kanë humbur jetën në incidentin në Kumanovë janë vrarë gjatë luftimeve apo pasi ata janë dorëzuar.

“Këtu ka shumë gjëra për të cilat mund të dyshohet, sepse dëshmitarët që kanë marrë pjesë në luftime, tregojnë se disa prej tyre kanë qenë të plagosur e pastaj ata figurojnë në listën e të vrarëve. Mjekësia ka shkuar aq larg sa që mund të konstatohet edhe koha, por edhe mënyra e vdekjes”, ka theksuar Shala.

Ndryshe, Gërxhaliu ka theksuar se ekipet për ekzaminimin e trupave të pajetë janë të gatshme në Departamentin e Mjekësisë Ligjore dhe s

Trupat e të vdekurve janë: 

Xhafer (Hysen) Zymeraj nga Prizreni, i lindur në vitin 1972,
Beg (Miftar) Rizaj nga Prekolluku i Deqanit, i lindur në vitin 1977,
Mirsad (Osman) Ndreca nga Gjakova, lindur në vitin 1979,
Valon (Selim) Kabashi nga Opterusha e Rahovecit, i lindur në vitin 1985,
Turgaj (Mehmet) Gashi, i lindur në Prishtinë në vitin 1978,
Samid (Bajram) Kastrioti, i lindur në Zojz të Prizrenit në vitin 1975,
Hysen (Latif) Rushiti nga Vushtrria, i lindur në vitin 1965,
Fatlum (Kadri) Vishesella, i lindur në Rufc të Ri të Lipjanit në vitin 1983 dhe
Arben (Qerim) Rexhaj nga Ferizaj i lindur në vitin 1971.

Trupat_Hani Elezit

Lajme të ngjashme

Back to top button