Ministria për Mirëqenien Sociale dhe Rininë, Blendi Klosi merr postin e Erion Veliaj

Kryeministri Edi Rama ka emëruar deputetin socialist Blendi Klosi në postin e ministrit për Mirëqenien Sociale dhe Rininë.

Vendimi për të emëruar Blendi Klosin vjen disa javë pasi Erion Veliaj dha dorëheqjen nga ky post pasi u kandidua nga e majta për kreun e bashkisë së Tiranës.

Kryeministri Rama njoftoi sot vendimin për emërimin e Klosit, përmes një postimi në Facebook. Ai tha se “z.Klosi do të çojë përpara reformat rrënjësore të nisura nga z.Veliaj”.

Sipas procedurave ligjore, propozimi i kryeministrit për emërimin e ministrit të ri të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i dërgohet për dekretim Presidentit të Republikës, dekret i cili miratohet më pas nga Kuvendi i Shqipërisë.

Blendi Klosi, është 44 vjeç dhe është zgjedhur deputet për tri legjislatura radhazi.

Ai ishte një ndër dy emrat kryesorë për kandidatin e mazhorancës së majtë për kryetarin e ri të bashkisë së Tiranës.

Blendi Klosi është diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë Elektronike. Pas studimeve ka punuar si inxhnier në Institutin e Studimeve Elektronike. Pas përfshirjes së tij në politikë ka punuar fillimisht si përgjegjës sektori për Politikat e Zhvillimit të Administratës Qendrore në Departamentin e Administratës Publike pranë Këshillit të Ministrave. Ka shërbyer më pas si Zëvendës Ministër i Pushtetit Lokal, Ministër Shteti pranë Kryeministrit dhe si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.

Blendi Klosi është anëtar i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit në Kuvendin e Shqipërisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button