Kohë turbulente, kush duhet t’i përfaqësojë shqiptarët e Maqedonisë?

Qytetarët e Maqedonisë, pa marrë parasysh përkatësisë etnike, kërkojnë qeverisje më të mirë dhe më të përgjegjshme. Situata e krijuar ka vënë në pikëpyetje jo vetëm kredibilitetin por edhe legjitimitetin e këtij pushteti, andaj ndryshimi është i paevitueshëm. Shqiptarëve ju duhet një lidership i ri, shprehen për Portalb, njohësit e çështjeve politike në vend.

“Ky ndryshim kërkon edhe lidership të ri politik, si të maqedonasit ashtu edhe te shqiptarët, politikanë dhe liderë që do të çonin përpara popullin me një vizion dhe qasje të re në politik-bërje, por ende më tepër kërkon përkushtim serioz dhe të sinqertë në zbatimin e mirëfilltë të atij vizioni. Një tentativë e tillë ishte Marrëveshja e Ohrit. Për fat të keq zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka ngecur pikërisht sepse liderët politikë nuk ndajnë vizionin e njëjtë për Maqedoninë.”thotë për Portalb, drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari.

Ai shprehet se partitë ekzistuese shqiptare, duke mos dashur të nënvlerësojë kontributin e tyre të deritashëm, kanë lindur si nevojë e një kohe që nuk ekziston më, andaj sipas tij, ato nuk kanë kapacitet që në mënyrë efikase t’i përfaqësojnë kërkesat dhe nevojat e qytetarëve sot.

“Kriza e tashme politike këtë e bëri edhe më shumë të qartë. Ata njëkohësisht nuk treguan kapacitet demokratik për të ndryshuar përbrenda duke dështuar në krijimin e politikanëve të ri që sot do të ishin bartës të një fryme të re në përputhje me kontekstin që tanimë ka ndryshuar dukshëm. Hapësira e krijuar nga kriza politike, kërkon kyçje aktive të politikanëve shqiptarë, ata të bëhen pjesë e proceseve që çojnë në rënien e Gruevskit, diçka që e kërkojnë ndoshta gati të gjithë shqiptarët, kjo do tu mundësonte atyre që të ishin të barabartë në fazat e mëtutjeshme të rimëkëmbjes së shtetit i cili tani është tërësisht i korruptuar dhe diskriminues për shqiptarët. Për fat të keq nuk ndodh kështu, disa parti janë pasive e disa të tjera ngrisin dilema të panevojshme për atë se si dhe sa duhet të kontribuojnë në rrëzimin e qeverisë së Gruevskit.”thotë për Portalb, drejtori i Fondacionit Metamorfozis, Bardhyl Jashari.

Liderët shqiptarë të jenë faktorë të barabartë në rrëzimin e regjimit të Gruevski

Petrit Saraçini, aktivist, vlerëson se shqiptarët kanë nevojë për një përfaqësim politik në opozitën mbarëqytetare.

“Sigurisht që shqiptarët kanë nevojë për përfaqësim politik në opozitën mbarëqytetare. Mirëpo, deri më tani, partitë politike shqiptare ose janë servile të Gruveskit, ose kalkulojnë dhe janë pasive në këtë moment të rëndësishëm politik, dhe në përgjithësi akoma merren me shitje të patriotizmit anakronik”, tha për Portalb, Saraçini.

Ai shtoi se do të ishte shumë mirë që liderët shqiptarë të jenë faktorë të barabartë në rrëzimin e regjimit të Gruevskit.

“Shumë më mirë do të ishte që liderët partiak shqiptarë, qofte nga partitë e vjetra ose nga ato më të rejat në skenën politike, të ulen që tani në tavolinë me Zaevin dhe sektorin qytetar, dhe të jenë faktorë të barabartë në rrëzimin e regjimit të Gruevskit, e më pas edhe në ndërtimin e një Maqedonie të re. Shpresoj se do të zgjohen nga gjumi, servilizmi dhe kalkulimet oportuniste, dhe se do të kapin këtë moment historik”, shtoi Saraçini.

Shqiptarët kanë nevojë për një strategji dhe një parti me struktura më të shëndosha

Ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti thotë se liderët e partive parlamentare shqiptare nuk e kanë kredibilitetin për të përfaqësuar interesi e shqiptarëve

“Vlerësoj që liderët e partive parlamentare shqiptare nuk e kanë kredibilitetin për të përfaqësuar interesi e shqiptarëve. Shumica dërmuese e shqiptarëve janë kundër qeverisë së Gruevskit ndërsa të dy liderët i japin përkrahje. Vlerësoj se energjia e madhe e shqiptarëve duhet të analizohet politikisht”, tha për Portalb, Rushiti.

Ai shtoi se shqiptarët kanë nevojë për një strategji dhe një parti me struktura më të shëndosha.

“Më shumë se një lider të vetëm vlerësoj se është koha për një strategji dhe një parti me struktura më të shëndosha. Është koha kur inteligjenca të organizohet dhe të japë kontributin e saj. Pas rënies së Gruevskit vjen qeverisja e eksperteve në të cilën do të trajtohen çështje substanciale. Shqiptarët nuk guxojnë të rijnë anash, nuk guxojnë të lënë interesin e tyre në mëshirë. Shqiptarët duhet të jenë pjesë e procesit dhe jo të përjashtohen.  Është interes i regjimit të Gruevskit dhe dy partive ekzistuese që situata të mbetet e pandryshuar”, shtoi Rushiti. /Portalb

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Ju perfaqson bdi me 153 mij vota tash hani barr te gjelbert deri sa barku ju kap edhe mbusheni mire edhe mandej kerkoni alternativ se keni tash

Back to top button