Interpelancë për ministrin Bushati për ngjarjet në Maqedoni

Deputetja e Partisë Demokratike në Parlamentin shqiptar Mesila Doda ka dorëzuar sot në Kuvend një kërkesë për interpelancë me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.

Në kërkesën e publikuar në profilin e saj në rrjetin social Facebook, Doda sqaron se interpelanca me ministrin është kërkuar për çështjen e Maqedonisë.

“Nisur nga zhvillimet tragjike të ndodhura ditët e fundit në Maqedoni, dhe nga gjendja në të cilën ndodhet respektimi i të drejtave të njeriut nga shteti maqedonas për popullsinë shqiptare, kërkoj interpelancë me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, për të sqaruar në Parlamentin e Shqipërisë dhe opinionin publik mbi çështjet e mëposhtme:

1. Cila është situata e sotme në Maqedoni në pikëpamje të sigurisë, të rrezikut të shpërthimeve të konfliktit ndëretnik, apo përplasjeve midis palëve politike atje?

2. Cila është strategjia e veprimit të shtetit shqiptar i gjendur midis dy detyrimeve, njërit kombëtar dhe tjetrit për shkak të përkatësisë në Aleancën perëndimore të shteteve; mbrojtjen dhe përparimin e korpusit të lirive dhe të drejtave të popullit shqiptar atje dhe për ruajtjen e stabilitetit të Maqedonisë?

3. A ka pasur lëvizje të trupave ushtarake maqedonase dhe shtim përgjatë kufirit me Shqipërinë? Nëse po, cilat janë masat e marra nga shteti shqiptar?

4. A është respektuar Marrëveshja e Ohrit? Cili ka qenë implementimi praktik dhe juridik i akteve të kësaj marrëveshje?

5. Cila është situata e arsimimit, politikave të punësimit dhe nevojës së kujdesit shëndetësor për popullsinë shqiptare në Maqedoni? Si dhe sa janë respektuar të drejtat e njeriut në popullsinë shqiptare, shtetas të Maqedonisë?,” ka shkruan Mesila Doda në rrjetin social Facebook.

Lajme të ngjashme

Back to top button