Koalicion i dështuar

Ndonëse duket sikur gjatë ditëve të bukura, të joshur nga njëri-tjetri, partnerët e koalicionit qeveritar e kishin harruar elektoratin që i dha pushtet (si fëmijë mosmirënjohës që harrojnë prindërit, të cilët i rritën e i edukuan), sërish është po ky elektorat, subjekti te i cili (tërthorazi) BDI ankohet e ‘qan hallet’, pasi tashmë është i zhgënjyer e i dëshpëruar. Realisht edhe po të mos ishte rrëfyer për mediat, pamundësia për të vizituar lagjen që e votoi, le për të kuptuar se asnjëherë nuk është ndodhur në telash më të madh se tani.

Po, e vërteta duhet të thuhet! Koalicioni në RM-së i ngjan një çifti bashkëkohor, të dështuar. Kjo jo vetëm që ndjehet brenda Maqedonisë, por duket edhe nga jashtë. Ja pse nga përfaqësuesit ndërkombëtarë BDI nuk llogaritet pjesë e rëndësishme dhe formuese e qeverisë po aq sa partia tjetër, për ta ftuar në të gjitha bisedimet për zgjidhjen e krizës aktuale. Prandaj të braktisurit e parterit të koalicionit (tani) nuk do të ishte rezultat i dëshpërimit, por mbrojtje e dinjitetit personal nga njëra anë dhe shfaqje e fuqisë së mjaftueshme për të hedhur hapin e parë drejt zgjidhjes së kësaj situate (që nuk po mund ta zgjidhin liderët maqedonas vetëm) pa derdhje të gjakut, nga ana tjetër.

Koalicioni është i dështuar! E thjeshtë vetëm të befasuarit e BDI-së nga veprimet injoruese të VMRO-DPMNE-së për çështje kruciale, i ngjan një lidhjeje që më nuk bazohet në dashuri e mirëkuptim. Ja pse dukej sikur ka kohë që kur VMRO-DPMNE bashkëjetonte ilegalisht me Rusinë, ndërsa BDI tentonte ta rritë e vetme foshnjën e përbashkët, të pagëzuar sipas dëshirës së kësaj të fundit si ‘Platformë drejt UE-së’. Por sa fatkeqe që është kjo foshnje: përveç lëkundjes në djep, as se ushqen e as se pastron kush! E jo vetëm që nuk do të rritet, por ka mundësi të sëmuret e të vdes e gjora!

Të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisë e të mos ketë fare qasje në sjelljen e vërtetë terroriste të saj, ndaj individëve që i quan ‘terroristë’, e bën BDI-në të duket e mjerë! Çfarë tjetër pos këtij poshtërimi i duhet këtij parteri të tradhëtuar, për të dorëzuar padi shkurorëzimi?! Mos vallë pret ta dëgjojë  ‘Rastin e Kumanovës’ (si një fëmijë ilegal të mundshëm) duke e thirrur VMRO-në “baba”?! E derisa ende të pastrehë, kumanovarët nga lideri i zgjedhur, pritën të paktën t’ua qartësojë Pse?-në e Si?-në e tmerrit që përjetuan, ai u arsyetua se ka pasur gjëra më të rëndësishme në agjendën e diskutimeve. Por nëse për të tjerët nuk do të paraqiste kataklizmë, për kumanovarët kjo nuk kalon.

Që të mos harron elektorati USHT-në, përdorimin e flamurit e gjuhës- si të arritura të BDI-së, ajo patjetër duhet t’i jep fund këtij koalicioni të dështuar! Kështu t’i jep fund edhe dashurisë së madhe e të njëanshme, që duket se po i jep shpresë që do t’i rikthehet qetësia e lumturia e dikurshme; t’i jep fund dhembshurisë për fëmiun, që do t’u mbetet jetim; Po edhe frikës mos mbetet e vejë gjithë jetën. Dhe kështu t’i jep fund keqardhjes për dëmet që mund të pësojë partneri po e braktisi, derisa atij aspak nuk iu bë vonë sa e dëmtoi me atë tradhëti.

(Autorja është studente në Shkenca Politike dhe Diplomaci, FON)

Lajme të ngjashme

Back to top button