ANALIZË: Kriza politike e merr tatimin e saj në ekonomi!

Një pjesë e biznesmenëve i numërojnë dëmet e para nga kriza politike dhe e sigurisë në vend. Ekonomistët vlerësojnë se përqindja e rritjes ekonomike prej 4,1% për këtë vit është e parealizueshme për shkak se paqartësia e krizës do ta shtrëngojë rripin e harxhimit edhe te qytetarët edhe te kompanitë. Guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov, paralajmëroi se ka mundësi të ndërmerren masa për shtrëngimin e politikës monetare, veprim ky i cili do ta ngadalësojë rritjen ekonomike.

Më pak kredi, kamata më të larta, porosi të anuluara…

Ashtu siç thellohet kriza politike, e cila para do kohësh eskaloi edhe në krizë të sigurisë, ashtu edhe qytetarët dhe firmat gjithnjë e më shumë frikësohen për paratë, pronën dhe kapitalin e tyre. Në vend të harxhimeve të shtuara, veçanërisht tani kur afrohet kulmi i verës, duhet të pritet harxhim i zvogëluar, që do të redukohet vetëm në nevojat themelore për jetesë – trend ky i cili do të ndikojë negativisht në ekonominë e përgjithshme, vlerësojnë ekonomistët.

“Kamatat më të larta për qytetarët dhe firmat do të shkaktojnë harxhim restriktiv, gjegjësisht harxhim të zvogëluar, madje edhe kursim. Kjo do të thotë se në ekonomi nuk do të ketë para të freskëta, por harxhimet do të redukohen në nevojat themelore për jetesë, për atë që është e domosdoshme, që gjithsesi do të ndikojë në sektorin privat ashtu që do të ndikojë mbi firmat dhe prodhimtarinë e tyre. Domethënë, ne tani nga koncepti harxhues do të orientohemi kah koncepti i kursimit”, thotë për “Portalb”-in, analisti Visar Ademi.

Sipas prognozave të ekonomistëve nga Asociacioni për hulumtime ekonomike, kriza politike do ta shkrijë rritjen ekonomike prej 4,1% në rreth 3%. Hulumtimi tregon se për shkak të paqartësisë do të ketë ngadalësim të aktivitetit investues edhe në harxhimin publik.

“Pritet përkeqësim në segmentin e konsumatorëve, që fillon me shtyrjen e harxhimeve, veçanërisht të të mirave të përhershme konsumatore dhe të patundshmërive, që e ngadalëson dhe mund ta ngrijë rritjen e harxhimeve të amvisërive, dukshëm do të ngadalësohet kreditimi dhe mund të shkaktohet dëmtim i disa segmenteve të tregut (si për shembull tregu i patundshmërive)”, thuhet në hulumtimin e ri.

Se rreziqet bëhen gjithnjë e më të mëdha, theksoi edhe guvernatori Dimitar Bogov, i cili e paralajmëroi mundësinë për ashpërsimin e politikës monetare, që nënkupton rritje të kamatave, gjegjësisht ngadalësim të kreditimit, i cili negativisht do të reflektohet mbi rritjen ekonomike.

“Në skenarin tonë themelor makroekonomik e ruajtëm projektimin për rritje gjatë këtij viti prej 4,1 për qind dhe 4,5 për qind për vitin e ardhshëm. Mirëpo, tani kur do të ndryshojnë punët në ekonomi, pas skenarit tonë themelor, mund të vijmë në situatë që i gjithë fokusi ynë të orientohet në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe të stabilitetit të sektorit bankar, me ç’rast nuk do të kemi mundësi ta përkrahim rritjen ekonomike”, deklaroi guvernatori Bogov dhe shtoi:

“Stabiliteti i çmimeve do të ruhet, kursi i denarit në raport me euron do të ruhet dhe ne do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që të ruhet stabiliteti i sektorit të bankave, mirëpo çmimin do ta paguajmë të gjithë, me atë që do të paguajmë kamata më të larta dhe do të kemi rritje më të vogël të ekonomisë.”

Përveç harxhimeve të zvogëluara, kriza politike tashmë reflektohet edhe mbi aktivitetin investues jo vetëm të kompanive të huaja, por edhe të atyre të vendit.

“Segmenti i dytë në të cilin do të ndjehen pasojat nga kriza e përgjithshme politike dhe e sigurisë janë investimet dhe një pjesë e sektorëve që tashmë alarmuan se do të kenë pasoja. Në fakt, pritet ngadalësim i aktivitetit investues edhe te investitorët vendas edhe te ata të huaj. Kur flitet për konflikt ndëretnik, për luftë, për paqartësi, askush nuk merr guximin që t’i investojë paratë e tij në një rajon dhe ambient jostabil. Kjo do të thotë se në periudhën që vjen mund të pritet edhe harxhim retsriktiv nga ana e kompanive. Në vend që ta riinvestojnë fitimin, ato do të orientohen kah kursimi, që poashtu do të thotë se do të ketë zvogëlim të parave të freskëta që janë në qarkullim në ekonomi, gjë që ndikon mbi rritjen ekonomike. Njëkohësisht, kjo do të thotë edhe mungesë të vendeve të reja të punës”, konsideron Ademi.

Njëri nga sektorët e parë që alarmoi se i ndjen pasojat e krizës politike është turizmi. Një pjesë e turistëve të huaj, gjegjësisht aranzhmanet anulohen, e poashtu mund të pritet që edhe turistët tanë t’i anulojnë aranzhmanet për në vendet e huaja, në kuptim të asaj se në vend që të harxhojnë për luks, do të vendosin të kursejnë.

“Në qoftë se them situata momentale politike nuk ka efekt negativ, do të jepja informata të gabuara. Do të thotë, situata politike ndikon mbi ekonominë e vendit. Kur them se ndikon e kam fjalën negativisht. Në këtë fazë, aspektet negative akoma nuk vërehen dhe akoma janë të vogla. Në qoftë se kjo situatë vazhdon sikurse ka filluar, besoj se në afat të mesëm do të kemi probleme shumë serioze”, deklaroi para do kohësh Bekim Neziri, ministër për ekonomi.

Një pjesë e biznesmenëve alarmojnë se ballafaqohen me probleme jo vetëm në vend, por edhe jashtë vendit.

“Në këto momente biznesmenët janë në ngërç dhe në panik, ambienti i biznesit është i paqartë, ndërsa Maqedonia është para vendimit se a do të shkojë kah perëndimi ose kah lindja”, thotë analisti Ademi.

Sipas afaristëve ka trend të anulimit të porosive nga partnerët tregtarë për shkak të frikës se kompanitë maqedonase nuk do të mund t’i realizojnë kontratat.

Lajme të ngjashme

Back to top button