Shkëndija u jep pushim para kohe shtatë futbollistëve

Një javë para përfundimit të sezonit garues 2014/2015 në Ligën e parë futbollistike të Maqedonisë, trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri, ka vendosur që të dërgojë në pushim të parakohshëm 7 futbollistë të ekipit të parë. Duke pasur parasysh se ekipi tani më ka siguruar pjesëmarrjen në garat e Evropa Ligës dhe duke parë si mundësi të mirë që në ndeshjen e fundit shans për të luajtur të kenë futbollistët që deri tani s’kanë gjetur shumë hapësira, stafi teknik ka vendosur tu jep pushim të merituar futbollistëve që kanë bartur barrën më të madhe në pranverë.

Kështu, portieri Marko Jovanovski, Bazhe Todorovski, Egzon Bejtullai, Artim Pollozhani, Armend Alimi, Viktor Xhufo dhe Mohamdu Idrizu tani më janë në pushim veror, i cili nuk do të zgjasë shumë për shkak të pjesëmarrjes në Evropa Ligën. Në ndërkohë, kundër Metalurgut për shkak të lëndimeve në dyshim janë edhe Muhamed Useini dhe Stenio Zhunior, kështu që trajneri Beqiri për këtë ndeshje në përbërje do të ketë thuajse komplet ekip të ri, me futbollistë që deri tani nuk kanë pasur shumë hapësira për të luajtur. Cekim, ndeshja Shkëndija-Metalurgu në kuadër të xhiros së 32 të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë luhet të dielën në Kërçovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button